Zëvendëskryeministrja Koçiu prezanton programin “Pas Shkolle”: 408 shkolla hapin dyert për nxitjen e krijimtarisë dhe zhvillimin e talenteve

Arsim | 2 muaj më parë

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, bëri të ditur se programi i ri “Pas Shkolle” do të nisë këtë vit në 408 shkolla në të gjithë vendin, duke u ofruar nxënësve një mjedis të sigurt ku mund të kryejnë detyrat e shtëpisë dhe të zhvillojnë talentet e tyre në klube arti, zeje dhe aktivitete krijuese.

“Më shumë mundësi për fëmijët, më shumë qetësi për prindërit dhe më shumë mbështetje për familjet”, u shpreh Koçiu, duke theksuar se programi synon të lehtësojë prindërit gjatë orarit të punës dhe të fuqizojë të ardhmen e fëmijëve.

Programi do të shtrihet në 117 shkolla në DRAP Tiranë, 96 në Korçë, 89 në Fier, 55 në Durrës dhe 51 në Lezhë, duke përfshirë nxënësit e klasave I-V, të cilët do të kenë mundësi të kryejnë detyrat e shtëpisë për një orë çdo ditë, nga e hëna në të premte.

Për nxënësit e klasave VI-IX dhe X-XII do të ofrohen klube të artit pamor, muzikës, kërcimit, teatrit, zejeve dhe aktiviteteve të tjera krijuese, dy herë në javë.

Koçiu bëri të ditur se programi do të angazhojë mësues të punësuar, të përzgjedhur përmes një procesi transparent në platformën “Mësues për Shqipërinë”, si dhe mësues pensionistë, profesionistë të diplomuar në arte, artizanë dhe mjeshtër të zejeve.

Për aktivitetet jashtë orarit mësimor është parashikuar edhe mbështetje financiare, me pagesë të dyfishuar në masën 1000 lekë për çdo orë.
“Më shumë kohë për të mësuar, më shumë mundësi për çdo nxënës.

Bashkë me më shumë hapësira për fëmijët që rriten me standardet dhe mundësitë e Shqipërisë Europiane”, përfundoi Koçiu, duke e cilësuar programin si një hap të rëndësishëm për modernizimin e sistemit arsimor dhe për mbështetjen e familjeve shqiptare.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme