Pistat e hetimit për vrasjen e Viktor Bardhit në Mirditë, kamerat nuk fiksuan makinën e autorëve. Dyshohet se u ndihmuan nga persona të tjerë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Vrasja e 65-vjeçarit Viktor Bardhit alias Marku, në Ndërfushas të Mirditës, vijon të mbetet pa autorë të dyshuar. Hetuesit po analizojnë me imtësi pamjet e kamerave të sigurisë dhe mënyrën e largimit të autorëve nga vendi i krimit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Ndërfushasit një ditë më parë, ku 65-vjeçari u gjet i pajetë nga familjarët brenda mjetit të tij. Pavarësisht kontrolleve dhe këqyrjes së kamerave në zonë, deri tani nuk është mundur të identifikohet një automjet që mund të lidhet drejtpërdrejt me autorët.

Në hyrje të fshatit Ndërfushas ka kamera sigurie, por nga këqyrja e pamjeve nuk rezulton të ketë pasur lëvizje automjetesh në oraret kur dyshohet se është kryer ekzekutimi.

Kjo ka bërë që hetuesit të marrin në konsideratë edhe skenarë të tjerë për mënyrën se si autorët mund të jenë larguar nga vendi i ngjarjes.

Një prej pistave është përdorimi i nënkalimit të “Rrugës së Kombit”, ndërsa një tjetër mundësi është që autorët të kenë kaluar në këmbë barrierat mbrojtëse të rrugës, të cilat ndodhen vetëm pak metra larg vendit ku dyshohet se është kryer prita.

Viktima Viktor Bardhi

 

Edhe këqyrja e kamerave në pikat hyrëse dhe dalëse të Rrëshenit nuk ka sjellë deri tani një rezultat konkret.

Sipas të dhënave të hetimit, automjeti i cili u gjet i djegur në zonën e Munazit, rreth 20 minuta pasi familjarët njoftuan policinë për gjetjen e 65-vjeçarit të pajetë, nuk ka dhënë prova të mjaftueshme që të konsiderohet me siguri mjeti i përdorur nga autorët.

Në automjetin e djegur nuk janë gjetur armë apo prova të tjera të rëndësishme kriminalistike. Kjo ka shtuar dyshimet e grupit hetimor se makina mund të mos ketë qenë automjeti i përdorur në ekzekutim.

Një tjetër pistë që po verifikohet është mundësia që autorët të jenë ndihmuar nga persona të tjerë, të cilët mund t’i kenë pritur me një automjet tjetër pas kryerjes së krimit dhe t’i kenë ndihmuar të largohen nga zona pa rënë në sy.

Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë minutë pas minute lëvizjet në zonë në intervalin kohor kur dyshohet se është kryer vrasja, duke krahasuar pamjet e kamerave, dëshmitë e personave që mund të kenë qenë pranë zonës dhe çdo gjurmë tjetër të mbetur në vendngjarje.

Deri në këtë fazë, autorët dhe motivi i ekzekutimit mbeten ende të paqartë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave që mund të kenë marrë pjesë në vrasjen e Viktor Markut.

Në vitin 2023, vëllai i Viktorit, Martin Bardhi, u ekzekutua me armë zjarri në Rrëshen. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi në ambientet e jashtme të lokalit të tij, në një ngjarje që në atë kohë u shoqërua me dyshime për konflikte të mëparshme dhe hakmarrje.

Për shkak të historisë së mëparshme, një nga pistat që pritet të verifikohet nga hetuesit është ajo e hakmarrjes dhe një lidhje e mundshme mes dy ngjarjeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme