Himarë, çfarë lanë pas gjurmët e zjarrit. Banesa të djegura dhe ullinj shekullorë të shkrumbuar

Aktualitet | 2 muaj më parë

Tokë e djegur, pemë të shkrumbuara, mure të nxira dhe çati të përfshira nga flakët. Këto janë pamjet që ka lënë pas zjarri në Himarë, pas një nate të gjatë dhe të vështirë për banorët e zonës.

Zjarri nuk është shuar ende plotësisht. Një prej vatrave vijon të jetë aktive në kodrën e Pilurit, ku po punohet intensivisht si nga toka, ashtu edhe nga ajri. Në operacion janë angazhuar dy helikopterë, ndërsa forcat në terren po përpiqen të izolojnë vatrat e mbetura dhe të parandalojnë përhapjen e flakëve.

Një nga zonat më të prekura është Potami, ku dëmet janë të konsiderueshme. Përveç sipërfaqeve të mëdha të djegura dhe mijëra rrënjëve të ullinjve, përfshirë ullinj shekullorë, flakët kanë përfshirë edhe banesa.

Deri tani janë evidentuar gjashtë banesa të prekura nga zjarri, tre prej tyre të banuara dhe tre të pabanuara. Pamjet në zonat e prekura tregojnë qartë forcën me të cilën zjarri ka përshkuar territorin.

Gjatë orëve të natës, për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara, 36 familje u evakuuan si masë parandaluese. Banorët u larguan nga banesat e tyre për siguri, ndërsa ekipet e emergjencave punuan gjatë gjithë natës për të mbajtur zjarrin larg zonave të banuara.

Pavarësisht dëmeve të shkaktuara, deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.

Pas një nate të cilën shumë prej tyre e përshkruajnë si një natë ferri, mëngjesi ka sjellë një situatë më të qetë në qytet. Megjithatë, vëmendja mbetet e përqendruar te kodra e Pilurit, ku zjarri vijon të jetë aktiv dhe ku ndërhyrja nga toka dhe ajri vazhdon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme