Izraeli vijon sulmet në Liban, 11 të vrarë, mes tyre dy fëmijë

Botë | 2 muaj më parë

Izraeli ka vijuar sulmet ndaj Libanit, ndërsa mediat libaneze raportojnë se 11 persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore gjatë natës në qytetin jugor të Kfar Reman.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit (NNA), një sulm i kryer nga avionët luftarakë izraelitë ndaj një ndërtese banimi në qytet, pas mesnatës, la të vrarë nëntë persona, mes tyre dy fëmijë, ndërsa pesë të tjerë u plagosën.

Në një tjetër sulm me dron, një makinë në Kfar Reman u godit, duke shkaktuar vdekjen e dy ndihmësve mjekësorë të organizatës Risala Scouts, e lidhur me lëvizjen Amal, sipas NNA-së.

Agjencia raportoi gjithashtu për sulme të tjera izraelite gjatë natës në Nabatieh dhe në qytetin e afërt të Arab Salim.

Një prej sulmeve shkatërroi një ndërtesë në Deir al-Zahrani, pasi Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kishin lëshuar më herët një paralajmërim për evakuimin e zonës.

Sulmet vijnë në një kohë kur tensionet përgjatë kufirit Izrael-Liban mbeten të larta, ndërsa përplasjet dhe operacionet ushtarake vijojnë në disa zona të Libanit jugor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme