Rama në Berat për reformën territoriale: Nuk cenohen shërbimet, synojmë administrim më efikas. Bashkimi sjell më shumë investime
Kryeministri Edi Rama vijoi sot në Berat takimet informuese në kuadër të konsultimit publik për reformën administrative territoriale, duke u ndalur te ndikimi që riorganizimi i njësive vendore do të ketë në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Gjatë takimit, Rama theksoi se ndryshimet e propozuara nuk do të sjellin largimin apo reduktimin e shërbimeve në Poliçan, Dimal apo në njësitë e tjera vendore. Sipas tij, synimi i reformës është krijimi i një administrimi më efikas dhe i mundësive më të mëdha për zhvillim dhe investime.
Kryeministri argumentoi se shërbimet që qytetarët marrin aktualisht në Poliçan dhe Dimal do të vazhdojnë të ofrohen në të njëjtat zona, ndërsa qytetet do të kenë drejtuesit e tyre dhe përfaqësues në Këshillin Bashkiak të bashkisë Berat.
Rama iu referua edhe debatit që shoqëroi reformën territoriale të vitit 2015, duke rikujtuar kundërshtimet e atëhershme lidhur me distancat dhe rrezikun e humbjes së shërbimeve.
Ai ngriti gjithashtu pyetjen nëse ish-komunat kanë përfituar më shumë apo më pak investime pas bashkimit administrativ, duke argumentuar se investimet kanë ardhur si rezultat i bashkimit të njësive vendore.
“Më thoni çfarë mendoni ju se do të dëmtohet në rast se do të bëhet bashki. Kur më thua rruga, e më thua shërbimi, këto nuk ndryshojnë. Nuk do të ikin shërbimet nga Poliçani, nga Dimali ose nga askund. Përkundrazi, këto nuk ndryshojnë. Në raport me çfarë keni, ndryshon vetëm një gjë; nuk do të keni kryetar bashkie të zgjedhur. Nuk ndryshon godina, nuk ndryshon stafi, nuk ndryshon numri i shërbimeve që bëhen, në kuptimin nuk ulet, se duhet shtuar. Ti thua distanca? Ça lidhje ka distanca? Ato shërbime që ti merr sot në Poliçan ose në Dimal, do t’i marrësh po aty. Pra, bashki, qytet, njësi administrative. Dhe qyteti Poliçan, qyteti Dimal do të kenë drejtuesin e tyre, do të kenë këshilltarët e tyre në Këshillin Bashkiak të bashkisë Berat, me kuota.
Më thoni dhe një gjë tjetër, komunat janë më mirë sot apo ishin më mirë kur ishin veç, se këto biseda unë i kam dëgjuar “mot a mot” në kohën e reformës 2015; “do na ikë kjo, do na ikë ajo; jo distanca; ohu, sa larg është Poliçani, ne jemi këtu te komuna jonë; sa larg është qendra e Urës, ne jemi te komuna jonë; ne kemi këtë, kemi atë, kemi kryetarin e komunës…
Ndodhi ndonjë gjë e kësaj natyre? A janë sot, a kanë marrë më shumë investime komunat se ç’bënin më përpara apo kanë marrë më pak? Investimet e komunave nga iu erdhën? Nga vetja? Iu erdhën nga bashkimi”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




