Reforma territoriale/ Rama në Elbasan: Bashkitë e reja do të kenë më shumë kapacitete për shërbimet. Synojmë më shumë zhvillim

Kryeministri Edi Rama vijoi sot në Elbasan takimet informuese në kuadër të konsultimit publik për Reformën Administrative-Territoriale, duke u ndalur te ndikimi që riorganizimi i njësive vendore pritet të ketë në zhvillimin ekonomik e social dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Në Elbasan, reforma parashikon bashkimin e Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin, ndërsa Librazhdi do të bashkohet me Përrenjasin. Sipas Ramës, këto ndryshime synojnë të krijojnë premisa të reja për një zhvillim më të qëndrueshëm të zonave dhe rritjen e kapaciteteve të bashkive.
Kryeministri tha se shqetësimet e ngritura sot nga qytetarët janë të ngjashme me ato që shoqëruan reformën e vitit 2015. Ai sqaroi gjithashtu se bashkitë që do të bashkohen nuk do të shndërrohen automatikisht në njësi administrative të bashkisë së re.
“Ajo që unë mund t’ju them është që shqetësimet ose kundërshtitë janë njësoj simetrike me shqetësimet dhe kundërshtitë e vitit 2015, kur u bë reforma e parë administrative-territoriale. Njësoj. Të njëjtat frikëra, të njëjtat dyshime, ngurrime, dhe sot, tani është ndryshimi që bashkohen bashki, nuk bashkohen komuna – bashki. Koha tregoi që ishin frikëra dhe dyshime të pabazuara, sepse të gjitha komunat përfituan më shumë nga bashkimi. Të gjitha shifrat tregojnë që investimet u rritën dhe, në tërësi, shërbimet u përmirësuan. Parafytyrimi që këto bashki ekzistuese do të kthehen si njësi administrative që keni aktualisht është i gabuar, sepse nuk do të bëhen njësi administrative. Pra, në qoftë se Prrenjasi do të bashkohet me Librazhdin, Prrenjasi nuk do të jetë njësi administrative e Bashkisë së Librazhdit.
Ashtu sikundër Cërriku dhe Belshi, duke u bashkuar me Elbasanin, nuk do të jenë njësi administrative të Elbasanit. Për këtë arsye është krijuar qyteti si njësi administrimi. Pra, është bashkia, është qyteti, pastaj janë njësitë administrative. Dhe faktikisht raporti midis qytetit dhe njësive përkatëse administrative do të ruhet në funksion të mirëkoordinimit të shërbimeve, etj., etj. Asnjë nga shërbimet ekzistuese nuk do të shkurtohet. Faktikisht, bashkitë ekzistuese kryejnë shumë më pak funksione sesa duhet të kryejnë dhe qëllimi është që të rritet kapaciteti për të kryer më shumë funksione.”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




