Kina kundër SHBA-së në debatin për AI-në: Nuk jemi për konfrontim dhe garë keqdashëse

Botë | 2 muaj më parë

Kina ka reaguar ndaj debatit të fundit për sigurinë dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke kundërshtuar atë që e cilëson si “narrativë kërcënimi” dhe duke bërë thirrje kundër përballjes mes fuqive të mëdha.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, tha se retorika mbi kërcënimin, konfrontimin dhe konkurrencën keqdashëse rrezikon të pengojë përpjekjet për krijimin e një qeverisjeje globale të AI-së.

“Të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të avancuar AI-në në një mënyrë që është e hapur, gjithëpërfshirëse, e dobishme për të gjithë dhe e orientuar drejt së mirës”, deklaroi ai.

Reagimi i Pekinit vjen në një moment kur në SHBA është intensifikuar debati për ritmin e zhvillimit të inteligjencës artificiale. Drejtuesi i Anthropic, Dario Amodei, ka kërkuar më shumë kujdes në zhvillimin e teknologjisë, ndërsa disa figura të industrisë kanë paralajmëruar për rreziqe serioze nga AI.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe CEO i OpenAI, Sam Altman. Ai tha se kur flitet për “ngadalësim”, nuk nënkuptohet ndalimi i zhvillimit, por një ritëm më i kujdesshëm, duke përfshirë monitorimin dhe kontrollet e sigurisë.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka mbajtur një qëndrim më agresiv, duke e vendosur në qendër të politikës së tij ruajtjen e epërsisë amerikane ndaj Kinës në garën për inteligjencën artificiale.

Në një postim në Truth Social, Trump e cilësoi situatën si një “komplot të sëmurë” kundër inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave. Sipas tij, AI nuk ka nevojë për kufizime të tjera, por për një “president të fortë dhe të zgjuar”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme