Sulmet mes sauditëve dhe Huthëve, vijon konflikti ushtarak, çmimet e naftës shënojnë sërish rritje
13 persona u plagosën nga sulmet me raketa balistike dhe dronë që rebelët Huthi të Jemenit që mbështeten nga Irani lëshuan ndaj Arabisë Saudite. Riadi u kundërpërgjigj me më shumë se 50 sulme ajrore ndaj zonave ku janë të përqendruar rebelët dhe u zotua të mbrojë sovranitetin e tij dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme operacionale deri në ndaljen e veprimeve armiqësore dhe ekstremistë, siç i cilësoi ai sulmet e rebelëve.
Huthët e Jemenit, rivalë dhe kundërshtarë të forcave të qeverisë së atij vendi që mbështetet nga sauditët, kanë marrë nën kontroll bregdetin jemenas në detin e kuq si dhe ngushticën e Bab al Mandeb që mori një rëndësi të veçantë për transportin ndërkombëtar detar pas mbylljes së ngushticës së Hormuzit, dhe kanë paralajmëruar se nuk garantojnë sigurinë e mjeteve detare të Arabisë saudite që lundrojnë atje.
Huthët kanë shënjestruar edhe infrastrukturën e naftës në mbretërinë saudite që është eksportuesja më e madhe e naftës së papërpunuar në botë, çka ka çuar çmimet e naftës në mbi 100 dollarë për fuçi.
Çmimi i naftës së pa përpunuar u rrit të martën në mëngjes me 1.6 për qind, duke kapur shifrën e 107.37 dollarëve për fuçi, ndërsa ai i naftës amerikane të West Texas Intermediate me 1.82 për qind duke u shitur me 103.24 dollarë për fuçi në bursat ndërkombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




