Nesër vendimi për ish-krerët e UÇK-së, policia holandeze shton masat e sigurisë pranë Dhomave Speciale në Hagë

Botë | 1 orë më parë

Policia holandeze ka shtuar masat e sigurisë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në prag të shpalljes së vendimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Pjesëtarë të policisë janë vendosur para ndërtesës dhe u kanë kërkuar qytetarëve të mbledhur aty të mos qëndrojnë më shumë se dy minuta para gjykatës.

Në një njoftim për mediat, Dhomat e Specializuara bënë të ditur se prania e policisë lidhet me mobilizimin e një numri të madh njerëzish që pritet të jenë prezent para Tribunalit.

Vendimi i shkallës së parë për ish-krerëve të UÇK-së  Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin pritet të shpallet rreth orës 10:00 të mëngjesit.

Ndërkohë që edhe në Kosovë janë rritur masat e sigurisë, teksa në sheshin kryesor të Prishtinës është vendosur një ekran gjigant ku do të ndiqet seanca nga Haga. Masa të shtuara sigurie janë paralajmëruar edhe në qytete të tjera të vendit, për shkak të tubimeve dhe protestave të mundshme.

Ndërkohë, pas Shteteve të Bashkuara, edhe Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj në Kosovë që të tregojnë vigjilencë këtë të mërkurë, për shkak të tubimeve të paralajmëruara.

Katër ish-krerët e UÇK-së përballen prej afro gjashtë vitesh me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat ata i kanë mohuar vazhdimisht.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme