Shqipëria hap Konsullatë Nderi në Napoli, Rama: Italia është alter egoja jonë europiane, jemi napolitanët e anës tjetër të detit

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë gjatë vizitës së tij në Napoli, duke e cilësuar Italinë jo thjesht si një partner strategjik, por si “alter egon” europiane të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te hapja e konsullatës shqiptare në Napoli, duke e përshkruar atë si më shumë se një përfaqësi diplomatike.
Kryeministri theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë tashmë të konsoliduara në nivel strategjik, por sipas tij, lidhja Shqipëri-Itali ka një karakter të veçantë.
“Sot jemi këtu jo për të hapur një konsullatë në kuptimin e ngushtë të fjalës, por për të hapur një derë mes dy realiteteve që historikisht kanë qenë shumë pranë dhe që, njerëzisht, janë shumë, shumë të ngjashme. Mes Shqipërisë dhe Italisë ekziston tashmë një partneritet strategjik, solid dhe i thellë, por unë e urrej kur më shkruajnë në fjalimet e mia se Italia është një nga partnerët tanë kryesorë ekonomikë, politikë dhe europianë, sepse kjo vlen për shumë vende të tjera. Italia nuk është ajo. Italia është alter egoja jonë europiane.
Dhe Napoli është pasqyra jonë nga kjo anë e detit, sepse ne jemi napolitanët e anës tjetër dhe jemi krenarë që jemi të tillë dhe nuk duam të bëhemi milanezë, për të thënë. Unë jam këtu shumë i lumtur që po e jetoj këtë moment gëzimi, këtë moment ku, edhe pse nuk po, le të themi, shpallim Republikën Shqiptare të Napolit, por gjithsesi kemi hapur së bashku një derë ku është flamuri i Shqipërisë dhe unë jam gjithmonë i lumtur kur e shoh pranë flamurit italian”, tha Rama.
Kryeministri Rama ishte i pranishëm në Napoli për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë, që do të drejtohet nga Konsulli i Nderit Giuseppe Lettieri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.














