Lezha destinacion gjithnjë e më tërheqës/Rritet me 15 % numri i vizitorëve në objektet kulturore e historike

Sociale | 3 orë më parë

Historia, trashëgimia dhe gjurmët e një prej figurave më të rëndësishme të kombit shqiptar po e kthejnë Lezhën në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.

Në qendër të këtij interesi mbetet vendvarrimi i heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, por vizitorët po zbulojnë gjithnjë e më shumë edhe pasuritë e tjera historike dhe kulturore që ofron qyteti, si kalanë, muzeun etnografik, muzeun arkeologjik dhe kishat mesjetare.

Deri tani, vetëm në objektet që mbulon administrata e Bashkisë Lezhë, numri i vizitorëve është 26 500. Këtu përfshihen Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Muzeu Etnografik dhe Muzeu Arkeologjik, së bashku. Kemi një rritje në krahasim me vitin e kaluar. Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritja shkon deri në 14-15% më shumë se në vitin e kaluar. Pra, për të njëjtën periudhë”, u shpreh Paulin Zefi, Përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore, Lezhë.

Rritja e numrit të vizitorëve shoqërohet edhe me një interes në zgjerim nga turistët e huaj. Në krye të listës janë turistët nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanja, Anglia dhe Holanda dhe për këtë po ndikon dhe bashkëpunimi me guidat turistike.

Numrin më të madh të vizitorëve e përbëjnë kryesisht vizitorët nga Shqipëria dhe Kosova, pra shqiptarët. Ndërsa, për sa i përket turistëve të huaj, kemi një rritje të theksuar. Vazhdojmë me Izraelin, që zë vendin e parë, ndërsa në vend të dytë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më pas vijnë Spanja, Anglia dhe Holanda. Normalisht, kemi vizitorë edhe nga shumë vende të tjera të botës. Nga Japonia deri në Kili kemi pasur vizitorë. E veçanta është se kemi pasur vizitorë edhe nga Afganistani dhe Irani”, tha ai.

Vetëm gjatë muajit gusht, monumentet e kulturës në Lezhë janë vizituar nga turistë të 38 shteteve, ndërsa kurba e vizitorëve premton që deri në fund të vitit vizitorët e turizmit kulturor dhe atij historik në Lezhë të arrijnë në 44 mijë.

Gazetar: E. Hila

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme