Çmimi i naftës prek nivele rekord, 229 lekë për litër, ndër më të shtrenjtët në Europë

Ekonomi | 2 orë më parë

Shqipëria vijon të ketë një nga çmimet më të larta të naftës në Europë, si dhe më të shtrenjtin në rajon. Në tabelat e pikave të furnizimit çmimit shënonte 229 lekë.

Rritjen e menjëhershme të ditëve të fundit eksperti, Leons Hasani e shikon të lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme.

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka bërë që në mënyrë imediate të reflektohet një rritje e çmimit të hidrokarbureve në bursë”, u shpreh eksperti.

Ndërkohë komponenti fiskal në çmim është gjithashtu përcaktues për çmimin e lartë në vend.

Patjetër që Shqipëria ka një nga barrat fiskale më të rënda, do të thoja unë, krahasuar me Ballkanin Perëndimor, por edhe me Europën, sepse pothuajse gjysma e çmimit të një litri naftë është barrë fiskale”, tha ai.

Hasani thekson nevojën për mekanizma më të fortë në kontrollin e tregut.

Në momentin kur ne nuk kemi borde mbikëqyrëse për çmimin e naftës, ka vend edhe për abuzim nga kompanitë private. Kjo gjë nuk reflektohet në mënyrë të menjëhershme kur kemi një rënie të çmimit, por kur kemi një rritje të çmimit të naftës në bursë, automatikisht ato e rrisin çmimin në pompë”, theksoi Hasani.

Për ekspertin rritja e çmimit reflektohet pozitivisht në arkën e shtetit.

Patjetër që edhe qeveria ka një interes, do të thoja unë, të fshehur pas rritjes së përgjithshme të çmimit të naftës, sepse merr më shumë akcizë dhe, në fund të ditës, më shumë të ardhura”, tha ai.

Në Shqipëri, përveç akcizës prej 39.4 lekësh për litër dhe TVSH-së 20 për qind, mbi çmimin e naftës aplikohen edhe dy taksa të tjera shtesë, të cilat nuk aplikohen në të njëjtën formë në vendet e tjera të rajonit: taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër.

Gazetar: Omer Saraci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme