Dënimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hamza: Ditë e turpit për drejtësinë ndërkombëtare

Kosovë | 1 orë më parë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka cilësuar si “ditë të turpit për drejtësinë ndërkombëtare” aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hamza tha se vendimi i Hagës, sipas tij, nuk është bërë në emër të popullit të Kosovës, por është kundër popullit dhe shtetit të Kosovës.

“Sot është një ditë e rëndë për Kosovën, një ditë e zezë. Është një ditë e turpit për drejtësinë ndërkombëtare. Aktgjykimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka sjellë dhimbje dhe zhgënjim të thellë te të gjithë ne. Një dhimbje dhe zhgënjim që nuk e kemi pritur. Madje edhe zemrat tona para së gjithash janë me ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre, që gati gjashtë vjet e kanë mbajtur peshën e këtij procesi. Të mllefosur, të lënduar jemi edhe ne, qytetarët e Kosovës dhe tërë shqiptarët në botë. Vendimi i shqiptuar sot nuk është bërë në emër të popullit të Kosovës. Vendimi i shqiptuar sot është bërë kundër popullit të Kosovës dhe kundër shtetit të Kosovës. Ne kemi përcjellë këtë proces se drejtësia do të mbështetet në fakte dhe prova, por sot nuk pamë drejtësi. Në Hagë sot u godit rëndë rezistenca e popullit tonë dhe u fye sakrifica e popullit që luftoi për liri… Për neve ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, pasi u dënuan ata që tërë jetën e tyre ia kushtuan lirisë”, tha ai.

Hamza, në konferencën për media pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, tha se procesi juridik ende nuk ka përfunduar dhe se mbrojtja do ta apelojë vendimin e Dhomave të Specializuara.

“Procesi juridik nuk ka përfunduar dhe fjala e fundit e drejtësisë ende nuk është thënë. Nuk është e njëjta gjë të provohet se gjatë luftës janë kryer krime dhe të provohet se katër individë të caktuar kanë pasur një qëllim të përbashkët kriminal për kryerjen e tyre. Për secilin prej të akuzuarve duhet të provohet jo vetëm pozita që kanë mbajtur, sepse pozita në një strukturë nuk mund të zëvendësojë provën e përgjegjësisë individuale. Gjatë këtij procesi janë dëgjuar dëshmi të rëndësishme për strukturën e UÇK-së”, shtoi Hamza.

Kryetari i PDK-së tha se partia që ai drejton do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore që lidhen me këtë proces.

“Jam i bindur se shteti i Kosovës është dashur deri më tani e lërë më tani e tutje me i marrë të gjitha veprimet e nevojshme në përkrahje të zbardhjes së vërtetës për luftën e pastër të UÇK-së. Kjo çka ka ndodhur sot e dënon historinë dhe të tashmen dhe jam i sigurt se e dënon të ardhmen dhe perspektivën e Kosovës. Ne si PDK jemi të vendosur që t’i marrim të gjitha veprimet në mbrojtjen e pastërtisë dhe të drejtës së luftës së UÇK-së”, deklaroi Hamza.

I pyetur për deklaratën e avokatit të Hashim Thaçit se, po të ishte deputet, do t’i zhbënte Dhomat e Specializuara në Hagë, Hamza tha se deputetët do ta kryejnë punën e tyre.

“Jam i bindur se institucionet e Kosovës do të jenë në nivelin e përgjegjësisë. Kur flas për hapa ligjorë, nuk përjashtohet asnjë veprim ligjor brenda ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Kjo do të thotë të gjitha veprimet e nevojshme që ndërlidhen me këtë proces… Ai është avokat, nuk është deputet. Deputetët e kryejnë punën e tyre”, theksoi Hamza.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme