“U rrëzuan akuzat për krime kundër njerëzimit”, Vuçiç për vendimin e ish-krerëve të UÇK-së: Nuk është përfundimtar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në një fjalim drejtuar publikut, Vuçiç tha se nuk ka asgjë më të rëndësishme për Serbinë sesa ruajtja e paqes dhe stabilitetit.
“U bë shumë padrejtësi, por edhe se të gjithë ne së bashku nuk ishim mjaftueshëm të gatshëm për t’u përballur me gabimet tona dhe krimet që u kryen në emrin tonë”, tha Vuçiç.
Duke iu referuar vendimit të dhënë në Hagë, presidenti serb e cilësoi atë si një vendim të një gjykate që, sipas tij, është krijuar për Kosovën.
Vuçiç deklaroi gjithashtu se gjykata, sipas tij, nuk kishte vërtetuar ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile, duke pretenduar se kjo lidhej me ruajtjen e besueshmërisë së UÇK-së.
“Ata nuk donin, si gjykatë e të ashtuquajturës Kosovë, të shkatërronin besueshmërinë e UÇK-së ose të të ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare të Kosovës dhe sigurisht që nuk hynë në thelb të çështjes që kishte të bënte me formimin e forcave për shkëputjen e Kosovës nga Republika e Serbisë dhe Republika Federale e Jugosllavisë në atë kohë”, tha Vuçiç.
Ai tha se aktakuza përmbante 10 akuza, ndërsa krimet kundër njerëzimit përfshiheshin në gjashtë prej tyre.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se populli serb nuk ka arsye të jetë as i lumtur dhe as i trishtuar pas vendimit të dhënë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke theksuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar.
“Ne mendojmë se këtu ka një panel apeli që do të marrë vendimin përfundimtar. Jo. Këtu ka një instancë tjetër mbi panelin e apelit të kësaj të ashtuquajture Gjykate të Kosovës ose Gjykatës së Kosovës në Hagë. Nuk do ta besoni, është Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Vuçiç në fjalimin e tij.
Vuçiç foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit, duke theksuar se kjo është thelbësore për Serbinë.
“Për Serbinë, ruajtja e paqes dhe stabilitetit është me rëndësi thelbësore. Për vendin tonë nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo”, tha ai.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




