Vendimi i Hagës, ish-luftëtari i UÇK për RTSH: Goditje e madhe. Të bashkuar mund të mbrojmë luftën tonë për liri
Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adnan Hyseni, ka reaguar pas vendimit të ditës së sotme të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së duke i dënuar me 81 vite burg në total.
Në një lidhje për RTSH, Hyseni e cilësoi vendimin si një goditje jo vetëm personale, por edhe kombëtare, duke theksuar se për të dhe ish-bashkëluftëtarët e tij, lufta e UÇK-së përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të historisë së shqiptarëve të Kosovës.
Hyseni tha se vendimin e ka përjetuar me dhimbje, duke e lidhur atë me përvojën e tij si ish-luftëtar i UÇK-së dhe me historinë e familjes së tij.
“Unë mendoj se si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por dhe si shqiptar, në aspektin personal më duket një goditje e madhe. Por unë mendoj që përmbi aspektin personal është goditje në aspektin kombëtar, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi nga kombi shqiptar, u fuqizua nga kombi shqiptar, luftoi për të drejtat e kombit shqiptar dhe arriti qëllimin për çlirimin e Dardanisë. Pra, ishte një goditje e rëndë kombëtare, jo vetëm personale”, tha ai.
Duke folur për arsyet që, sipas tij, i shtynë të rinjtë shqiptarë t’i bashkoheshin UÇK-së, Hyseni përmendi represionin dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve në periudhën e Jugosllavisë dhe gjatë viteve para luftës.
“Ne shqiptarët e Dardanisë, pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishim të detyruar pas shumë padrejtësive qysh nga koha e Jugosllavisë, ku na vriteshin shqiptarë vetëm se ishin shqiptarë në kuadër të armatës jugosllave. Mandej persekutimet politike, burgosjet e patriotëve, largimi nga shkolla, helmimi, persekutimi, mandej edhe vrasje të ndryshme të shqiptarëve kudo. U detyruam të bëheshim pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të drejtat tona elementare, siç ishte gjuha, arsimi, punësimi e shumëçka tjetër që na mbajti nën një shtet fashist si Serbia”, tha ai.
Hyseni tregoi se në momentin kur iu bashkua luftës ishte vetëm 19 vjeç. Ai kujtoi edhe humbjet e familjes dhe bashkëluftëtarëve gjatë luftës.
“Unë kam qenë vetëm 19 vjeç. Kam pasur dëshirë ta kem edhe këtë sot, jemi afër atdhetarëve kombëtarë. Ato momente sot kanë qenë… jemi rikthyer shumë, sepse një pjesë e madhe e ushtarëve të UÇK-së kanë qenë edhe pjesë e luftërave dhe duke pasur mundësinë të jem pjesë, kemi krijuar dhe kemi pasur edhe trauma gjatë luftës për shkak të pamjeve të ndryshme të masakrave”, u shpreh Hyseni.
Ai tha se, pavarësisht dhimbjes, kujtimet e asaj periudhe mbeten të lidhura edhe me krenarinë për vendimin që morën në atë kohë. I pyetur se çfarë përfaqëson UÇK-ja për të dhe çfarë do t’i thoshte një të riu që nuk e ka jetuar luftën, Hyseni e përshkroi atë si një amanet të brezave.
“Është vetë jeta. Është amaneti i brezave, është drita që ne shohim, është ajri që ne thithim, është e ardhmja, është e tashmja, është sakrificë patjetër dhe është përgjegjësi e madhe, është barrë e rëndë, sepse duhet ta ruajmë si sytë e ballit. Sa i përket bashkëluftëtarëve të mi, i çoj një mesazh: o sot, o kurrë. Mund të keni mendime ndryshe politike, mund të kemi mendime ndryshe njerëzore, të bëhemi bashkë për amanetin, ta mbrojmë UÇK-në”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



