Patatja dhe qepa në Maliq, vijon vjelja, prodhim i mirë por shitje e vështirë

Sociale | 3 orë më parë

Në fushën e Maliqit po shkon drejt përfundimit vjelja e qepës, ndërsa fermerët kanë nisur të përqendrojnë vëmendjen te patatja, një nga kulturat kryesore bujqësore të zonës. Fermerët thonë se këtë vit prodhimi i patates ka qenë i mirë dhe kushtet e kultivimit kanë favorizuar rendimentin.

Megjithatë, shqetësimi kryesor mbetet tregu. Vështirësia për të shitur prodhimin dhe çmimet jo gjithmonë të favorshme bëjnë që puna e fermerëve të mos përkthehet në të ardhura të kënaqshme.

“Qepa ishte e hershme, e shkulëm shpejt, atë e kapëm. Pataten e shesim me 40 lekë”, u shpreh fermeri.

Për specin, situata ka qenë më e vështirë. Breshëri ka dëmtuar ndjeshëm kulturat dhe fermeri shprehet se këtë vit pret të marrë rreth gjysmën e prodhimit krahasuar me një vit më parë.

“Janë pa llogari dëmet. Ky lloj speci në qoftë se unë kam punuar shumë vite, unë e kam marrë edhe 200 lekë kur vjen nga jashtë kurse tani 500 lekë ajo do të zgjedhur dhe të drejtë”, tha ai.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një ulje të sipërfaqeve të mbjella. Në Maliq, këtë vit janë mbjellë 563 hektarë me qepë, nga 682 hektarë që ishin një vit më parë. Për pataten, sipërfaqja e mbjellë ka zbritur në 582 hektarë, nga 671 hektarë që ishin vitin e kaluar. Pavarësisht uljes së sipërfaqeve, patatja mbetet një nga kulturat më të rëndësishme në rang qarku, me prodhim vjetor kalon 60 mijë tonë.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme