Bojkoti i avokatëve, GJKKO nuk tërhiqet: Rregullorja është në fuqi, zbatojeni ose ndiqni rrugët ligjore

Aktualitet | 2 orë më parë

Pavarësisht bojkotit të avokatëve, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nuk tërhiqet nga rregullorja e re e brendshme. Në një përgjigje drejtuar Dhomës së Avokatisë, GJKKO thekson se rregullorja ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2026 dhe është e detyrueshme për të gjithë pjesëmarrësit në proceset gjyqësore.

GJKKO i kërkon Dhomës së Avokatisë zbatimin e plotë të rregullores, ndërsa sqaron se nëse avokatët kundërshtojnë dispozitat e saj, kanë në dispozicion rrugët ligjore për t’iu drejtuar organeve kompetente.

GJKKO-ja sqaron se Rregullorja ka hyrë në fuqi më datë 01.09.2026 dhe se, si akt i miratuar sipas procedurës së parashikuar dhe në fuqi, ajo është e detyrueshme për të gjithë pjesëmarrësit në procesin gjyqësor. Për rrjedhojë, GJKKO- ja kërkon nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë zbatimin e plotë të saj, përfshirë nenin 76. Në rast se Dhoma e Avokatisë vijon ta kontestojë këtë rregullim, ajo ka në dispozicion rrugët ligjore përkatëse për ta kundërshtuar atë përpara organeve kompetente; ndërkohë, kontestimi nuk e pezullon efektin juridik të Rregullores dhe nuk mund të shërbejë si shkak për mospjesëmarrje në seancat gjyqësore”, thotë GJKKO.

Sipas gjykatës, kundërshtimi i rregullores nuk pezullon efektin e saj juridik dhe nuk mund të përdoret si arsye për mospjesëmarrje në seancat gjyqësore.

Një nga pikat kryesore të debatit lidhet me nenin 76 të Rregullores së GJKKO-së, që përcakton rregullat për përdorimin e telefonit celular në sallën e gjyqit.

Në përgjigjen e saj, gjykata kundërshton argumentin se telefoni mund të konsiderohet si një “studio e lëvizshme” e avokatit dhe thekson se, gjatë zhvillimit të seancës, avokati ushtron profesionin e tij brenda një hapësire institucionale të administruar nga gjykata.

Në këtë kuptim, të konsideruarit e telefonit celular si “studio e lëvizshme” përmbys raportin juridik ndërmjet profesionit të avokatit dhe rolit të gjykatës. Nuk është studio e avokatit që zhvendoset juridikisht brenda sallës së gjyqit sa herë që ai hyn në të me pajisjet e veta; është avokati që, kur hyn në sallë, ushtron profesionin e tij brenda një hapësire institucionale të administruar nga gjykata dhe sipas rregullave të procesit. Pavarësia profesionale i garanton atij lirinë dhe mjetet e nevojshme për të mbrojtur klientin, përfshirë, sipas nenit 77 të Rregullores, kompjuterin portativ me dosjen elektronike, aktet, provat dhe jurisprudencën; ajo nuk i jep të drejtën të mos respektojë gjatë seancës”, thotë GJKKO.

Gjykata sqaron se rregullorja nuk cenon, sipas saj, të drejtën e mbrojtjes dhe se avokatët mund të hyjnë në sallën e gjyqit me kompjuterin portativ. Laptopi mund të përdoret gjatë gjithë seancës, në modalitet pa zë, për konsultimin e dosjes elektronike, akteve, provave, jurisprudencës, kërkesave dhe shënimeve.

Kompjuteri portativ është plotësisht në dispozicion të mbrojtjes. Mbrojtësi hyn në sallë me laptopin e tij dhe e përdor atë gjatë gjithë seancës, në modalitet pa zë, për dosjen elektronike, aktet, provat, jurisprudencën, kërkesat dhe shënimet. Për qëllime procedurale, kjo pajisje mbulon nevojat kryesore dokumentare dhe të konsultimit gjatë gjykimit”, theksohet në përgjigjen e GJKKO.

Sa i përket nevojës për komunikim urgjent gjatë seancës, GJKKO thotë se avokati mund t’i drejtohet kryesuesit të trupit gjykues, i cili mund të autorizojë daljen nga salla, ose të shfrytëzohet pushimi i seancës.

Gjykata thekson gjithashtu se komunikimi mes avokatit dhe klientit mbetet i garantuar. Sipas saj, në zbatim të nenit 88 të rregullores, GJKKO vë në dispozicion ambiente të posaçme ku sigurohet konfidencialiteti i takimit avokat-klient, me mbikëqyrje vetëm vizuale dhe për qëllime sigurie.

“Komunikimi urgjent gjatë seancës është tërësisht i mundësuar. Kur lind nevoja procedurale, mbrojtësi i drejtohet kryesuesit të trupit gjykues, i cili autorizon daljen nga salla sipas nenit 73, pika 8, ose shfrytëzohet pushimi i seancës.

Komunikimi me klientin e ndaluar ose të paraburgosur është i garantuar. Sipas nenit 88, të Rregullores, GJKKO-ja vë në dispozicion ambient të posaçëm ku sigurohet konfidencialiteti efektiv i takimit avokat-klient, me mbikëqyrje vetëm vizuale dhe vetëm për qëllime sigurie”, shprehet GJKKO.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme