Dyshohet se vodhi 16 lokale në Tiranë brenda dy muajve, arrestohet 34-vjeçari
Një 34-vjeçar është arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pasi dyshohet se është autor i 16 vjedhjeve me thyerje në lokale të ndryshme në kryeqytet.
Operacioni policor i koduar “Broken Door” (Derë e thyer) u finalizua pas një sërë veprimesh hetimore të kryera në bazë të kallëzimeve të administratorëve të lokaleve, të cilët kishin denoncuar vjedhjen e shumave të parave dhe produkteve.
Sipas Policisë, shtetasi me iniciale E. Gj., 34 vjeç, dyshohet se gjatë muajve gusht dhe shtator 2026 ka kryer vjedhje me thyerje në 16 lokale në zona të ndryshme të Tiranës.
Nga rastet e dokumentuara, 8 lokale ndodhen në territorin e Komisariatit Nr. 2, 4 lokale në territorin e Komisariatit Nr. 3, 2 lokale në territorin e Komisariatit Nr. 1 dhe 2 lokale në territorin e Komisariatit Nr. 4.
Gjatë verifikimeve të mëtejshme, uniformat blu kanë konstatuar se 34-vjeçari ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur më herët për të njëjtën vepër penale, “Vjedhja”.
Hetimet vijojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale të 34-vjeçarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




