Bletari që zgjodhi Gjirokastrën, prodhimi i mjaltit ra këtë sezon, ndërsa përgatitjet për dimrin kanë nisur

Sociale | 1 orë më parë

Në një kohë kur shumë të rinj largohen nga vendlindja, Spiro Dhima ka zgjedhur të qëndrojë në Gjirokastër për të ndërtuar të ardhmen përmes bletarisë. Me mbi 300 koshere, të trashëguara nga familja.

“Ne kemi një trashëgimi në bletari, kështu që është një pasion i trashëguar dhe vazhdojmë edhe ne, brezat e tjerë, ta ushtrojmë si pasion dhe si aktivitet. Në parkun tonë të bletëve, ne sot kemi rreth 300 koshere”, u shpreh bletari.

Bletari Dhima shprehet se, për shkak të kushteve klimatike jo të përshtatshme, këtë vit ka pasur ulje të prodhimit të mjaltit.

“Ky vit ka qenë paksa më i vështirë se vitet e tjera, pasi ka pasur një thatësirë të zgjatur dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në prodhimin e mjaltit, duke bërë që prodhimi të ulet. Këtë vit jemi pak më dobët se vitet e tjera”, tha ai.

Ndërsa në këtë periudhë, puna është përqendruar te përgatitja e koshereve për dimër.

“Kjo periudhë tashmë kërkon përgatitjen për dimërimin e bletëve, ku merren një sërë masash, siç janë luftimi i varroatozës dhe i disa sëmundjeve të tjera, ushqyerja e bletëve dhe kujdesi për to, për të pasur mbretëreshë në koshere dhe për të kaluar një dimër sa më të mbarë. Qëllimi është që vitin tjetër të dalim me sukses, pa pasur humbje të shumta dhe problematika të tjera”, tha Dhima.

Pavarësisht vështirësive të këtij sezoni, për Spiro Dhimën bletaria mbetet një traditë që vijon të përcillet ndër breza, ndërsa përgatitjet për dimrin synojnë të garantojnë një sezon sa më të mbarë vitin e ardhshëm.

Gazetare: E. Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme