“Lahuta Smart”, tradita shqiptare në një format të ri

Sociale | 50 minuta më parë

Lahuta, simbol i identitetit dhe kulturës kombëtare, po përfshihet në një proces inovativ, ku elementët e traditës ndërthuren me teknologjinë. Përgjegjësja e Muzeut Historik të Shkodrës, Majlinda Laçaj, shpjegon më tej këtë projekt, duke theksuar se risia nuk cenon tiparet kombëtare të instrumentit.

“Ne tashmë kemi instrumentin e parë, siç është lahuta, lahuta smart apo lahuta e rijetuar, e cila vjen në një format krejt të ri, pa prishur performancën e saj identitare për sa i përket elementeve kombëtare. Kemi një instrument kompakt, i cili mund të luajë jo vetëm në oda, por edhe në salla të mëdha, në sheshe, në stadiume etj”, u shpreh Majlinda Laçaj, Përgjegjëse e Muzeut Historik Shkodër.

Sipas Laçajt, ideja për këtë nismë lindi edhe si një shqetësim i ngritur nga artistët e qytetit të Shkodrës, të cilët kanë vënë në dukje nevojën për të ruajtur dhe përcjellë më tej elementët autentikë të lahutës.

“Erdhi si një alarm nga grupi i instrumentistëve dhe artistëve të qytetit tonë. Kryesisht, është shumë e rëndësishme për brezin e ri, sepse elementet identitare, elementet kombëtare, po harrohen. Pavarësisht zhvillimeve të reja, bota po ndryshon dhe teknologjia po avancon në mënyrë, diku-diku, të frikshme, duke bërë që të harrohen këto elemente të rëndësishme të trashëgimisë”, tha ajo.

Përmes këtij projekti synohet që lahuta të vijojë të ruajë identitetin dhe veçoritë e saj tradicionale, ndërsa përmes teknologjisë dhe qasjeve të reja krijuese t’i jepet mundësi që ky instrument të afrohet edhe më shumë me brezat e rinj dhe të vijojë të jetë pjesë e trashëgimisë muzikore shqiptare.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme