Prania Besnike/ Rama: Nuk ka rëndësi për kë ke votuar, qytetarët do ta dinë ku dhe kur mund të takojnë përfaqësuesit e tyre

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm një video në rrjetet sociale, përmes së cilës ka prezantuar vijimin e nismës “Prania Besnike”, e cila do të zhvillohet çdo të premte në orën 17:00 në të gjithë Shqipërinë. Rama e përshkruan “Praninë Besnike” si pjesë të një sistemi që synon ta kthejë dëgjimin e qytetarëve në një detyrim për përfaqësuesit e tyre.
“Prania Besnike vendos një rregull shumë të thjeshtë: qytetari duhet ta dijë paraprakisht ku dhe kur mund ta gjejë përfaqësuesin e vet, në të njëjtin vend, në të njëjtën orë, me një kalendar të publikuar përpara”, shprehet Rama.
Sipas tij, çdo të premte në orën 17:00 përfaqësuesit do të jenë në dispozicion të qytetarëve për takime dhe dëgjesa ballë për ballë.
“Prania Besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët”, thotë Rama, duke shtuar se qytetarët që kanë një problem apo shqetësim mund të paraqiten në orarin dhe vendin e përcaktuar dhe të presin radhën për t’u ulur përballë përfaqësuesve të tyre. Kryeministri thekson gjithashtu se nisma nuk do të ketë përkatësi partiake.
“Prania Besnike refuzon përkatësinë partiake. Nuk ka asnjë rëndësi se i kujt partie je, nuk ka pikë rëndësie për kë ke votuar”, deklaron Rama. Ai shton se në takime mund të marrin pjesë edhe qytetarë që kanë qenë kundërshtarë të Partisë Socialiste gjatë fushatave elektorale. “Prania Besnike” do të vijojë çdo të premte, në orën 17:00, në të gjithë Shqipërinë, sipas kalendarit të përcaktuar për takimet me qytetarët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





