Përballja me fatkeqësitë, ja si do të funksionojë skema e re e Mbrojtjes Civile sipas standardeve të BE-së

Aktualitet | 58 minuta më parë

Qeveria shqiptare ka përgatitur një paketë ndryshimesh në ligjin nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, me qëllim forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile. Sipas relacionit, nisma e re ligjore synon të rrisë efikasitetin e reagimit në terren, të qartësojë zinxhirin e komandimit dhe të përafrojë procedurat me standardet e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (UCPM).

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, të hartuar nga Ministria e Mbrojtjes, përvoja e grumbulluar nga zbatimi i deritanishëm i ligjit ekzistues ekspozoi nevojën për ndërhyrje strukturore dhe procedurale.

“Projektakti synon përforcimin e sistemit kombëtar të mbrojtjes civile për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit, si dhe rritjen e performancës në kuadër të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në UCPM,” thuhet në dokumentin zyrtar të propozuar nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Saktësimi i kompetencave dhe roli i AKMC-së

Një nga shtyllat kryesore të kësaj reforme lidhet me ridimensionimin e rolit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC). Projektligji i ri i jep AKMC-së kompetenca më të qarta koordinuese, ekzekutive dhe kontrolluese, duke e përcaktuar si institucionin kryesor që mbështet Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) dhe Komitetin e Mbrojtjes Civile (KMC).

Gjithashtu, ligji i ri strukturon formalisht Sistemin Kombëtar të Menaxhimit të Emergjencave Civile (SKMEC), i cili do të miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, duke përcaktuar qartë përgjegjësitë nga niveli bazë bashkiak, ai i qarkut, e deri te autoritetet qendrore.

Sipas relacionit, ndryshimet shmangin mbivendosjen e kompetencave operacionale mes strukturave të terrenit.

“Sugjerimet për shmangien e mbivendosjeve të kompetencave operacionale mes Policisë së Shtetit, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), Urgjencës Mjekësore dhe Forcave të Armatosura janë reflektuar plotësisht, duke ruajtur hierarkinë komanduese sektoriale dhe duke sqaruar funksionin koordinues të AKMC-së.”, thuhet në dokumentin zyrtar.

Modulet e përhershme, vullnetarizmi dhe numri 112

Projektaktit i shtohen gjithashtu me rëndësi elemente operative të reja, si krijimi i Moduleve të Përhershme të Emergjencave Civile sipas standardeve evropiane, çka lehtëson dërgimin e trupave shqiptare në misione ndihme jashtë vendit ose pritjen e ndihmës ndërkombëtare gjatë krizave madhore.

Ndër risitë e tjera përfshihen:

Shërbimi Vullnetar: Formatimi përmes një kuadri të ri rregullator për ngritjen dhe funksionimin e shërbimit të vullnetarëve të mbrojtjes civile.

Numri Unik 112: Ngarkimi i AKMC-së me administrimin e Numrit të Unifikuar të Thirrjeve Emergjente (112). Ky projekt me kosto prej rreth 14 milionë eurosh do të financohet përmes një kredie zhvillimore nga Qeveria Italiane dhe parashikohet në PBA 2027–2029.

Formimi Profesional: Institucionalizimi i Qendrës Kombëtare të Trajnimeve pranë AKMC-së për certifikimin dhe përgatitjen e vazhdueshme të të gjitha subjekteve publike e private.

Pushteti vendor dhe financimi

Projektligji saktëson se funksionet e mbrojtjes civile në nivel bashkie dhe qarku ushtrohen si funksione të deleguara, pa cenuar autonominë kushtetuese të njësive të vetëqeverisjes vendore. Bashkitë do të kenë detyrime më të rrepta për vlerësimin e risqeve, kontrollin e digave e infrastrukturës ujitëse, si dhe krijimin e bazave të të dhënave për humbjet nga fatkeqësitë.

Lidhur me ndikimin financiar, relacioni sqaron se projektakti nuk krijon efekte shtesë të paplanifikuara në Buxhetin e Shtetit për vitin ushtrimor korrent. Dokumenti pritet të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa aktet nënligjore për zbatimin e tij duhet të nxirren brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme