Reforma Territoriale/ Berisha akuzon mazhorancën në Kuvend: Po asgjësoni 15 bashki për interesat tuaja korruptive

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra gjatë seancës plenare në Kuvend kundër projektit të mazhorancës për Reformën e Re Territoriale, duke e cilësuar atë si një goditje direkte ndaj pushtetit vendor dhe komuniteteve lokale.
Sipas Berishës, plani i ri Territorial parashikon shkrirjen e 15 bashkive në vend, pa marrë parasysh performancën e tyre financiare, pasuritë natyrore dhe potencialin kulturor e sportiv.
Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, kreu i opozitës mori si shembull bashki konkrete si Përrenjasi dhe Klosi, duke nëvizuar se ato zotërojnë resursë të mëdha minerare e ekonomike që po injorohen nga qeveria.
“Këta asgjësojnë 15 bashki, prej të cilave ka me performancë shumë të mirë. Prej të cilave ka me ekipe, me aktivitete kulturore të shquara. Ka me ekipe sportive të rekordeve botërore. Prej të cilave ka komunitete me rezerva botërore hekuri dhe nikeli siç është Përrenjasi, siç është Klosi me kromin,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se disa prej bashkive që parashikohet të fshihen nga harta territoriale kanë performancë administrative dhe financiare dukshëm më të mirë se njësitë që do të vazhdojnë të ekzistojnë.
Akuzat për afera korruptive
Përveç anës administrative, Berisha sulmoi edhe retorikën e përdorur nga përfaqësuesit e shumicës parlamentare për të justifikuar ndryshimet e hartës administrative, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të fshehur të vërtetën.
“Bëni avokatinë më të turpshme. Por problemi është se termat që përdorni këtu janë një përdhosje e plotë e gjuhës shqipe për t’u fshehur realitetin shqiptarëve, për t’u shitur me fjalët tuaja të korruptuara një realitet që nuk ekziston,” u shpreh ai.
Sipas liderit të opozitës, miratimi i kësaj reforme nuk i shërben lehtësimit të shërbimeve për qytetarët, por realizimit të interesave të mbyllura dhe aferave korruptive të mazhorancës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




