Nurellari: SHBA-të e shohin luftën kundër korrupsionit si çështje të sigurisë kombëtare të tyre
Politologu Adri Nurellari ka komentuar profilin e ambasadorit amerikan në Shqipëri dhe ndryshimin e qasjes së Uashingtonit ndaj demokracisë, korrupsionit dhe luftës kundër krimit.
Në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH, Nurellari u shpreh se pret që ambasadori të ndjekë një profil më të përmbajtur diplomatik, larg ekspozimit të tepruar mediatik dhe ndërhyrjeve publike që, sipas tij, kanë karakterizuar sjelljen e disa ambasadorëve në të kaluarën.
“Duke qenë se është disiplina ushtarake, po mendoj dhe po shpresoj dhe kemi parë ca nuanca që shmangen mediat, ndërkohë që për shembull në të kaluarën ambasadorët kanë pasur një tendencë me u sjellë me një ekspozim të tepruar. Këtë do e shohim që do kthehet në brazda, do kthehet në konturet e një ambasadori të dinjitetshëm, sepse profilin e ka të tillë”, tha Nurellari.
Ai theksoi se një nga ndryshimet kryesore lidhet me mënyrën se si administrata amerikane i trajton çështjet e demokracisë, sundimit të ligjit dhe korrupsionit.
Sipas Nurellarit, që prej administratës Trump, këto çështje po shihen gjithnjë e më shumë si pjesë e sigurisë kombëtare amerikane, ndryshe nga qasja e mëparshme, e cila synonte përhapjen e vlerave demokratike dhe liberal-demokratike në mbarë botën.
“Çështjet e demokracisë, të luftës kundër krimit, çështjet e korrupsionit janë trajtuar si çështje të sigurisë kombëtare amerikane. Pra kemi një lloj shkëputje nga sjellja e dikurshme, ku këto çështje konsideroheshin si aspirata të përhapjes së demokracisë, të sundimit të ligjit dhe të vlerave të liberal-demokracisë në botë. Tani kemi një tjetër zhvendosje që ka ardhur që me administratën Trump”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




