Promovohet romani “Mësimet”, një mbrëmje mes letërsisë së shkrimtarit britanik Ian McEwan, poezisë dhe muzikës

Kulturë | 2 orë më parë

Letërsia, poezia dhe muzika u bënë bashkë në një mbrëmje të veçantë, të organizuar nga British Council, në përmbyllje të Javës Kulturore Britaniko-Ukrainase. Në qendër të aktivitetit ishte promovimi i romanit “Mësimet” të shkrimtarit të njohur britanik Ian McEwan, Një mbrëmje që ndërthurte fjalën e shkruar me emocionin e poezisë dhe tingujt e muzikës, duke sjellë në vëmendje fuqinë e artit për të reflektuar mbi kohën në të cilën jetojmë.

Romani “Mësimet” i Ian McEwan sjell historinë e një jete që, në dukje, mund të ngjajë e zakonshme, por që përmes përvojave personale të protagonistit shndërrohet në një pasqyrë të kohës dhe trazirave të saj.

“Për mua është nder të flas për një shkrimtar të madh dhe për një libër të jashtëzakonshëm, në kuadër të Javës së Kulturës Britanike. Leximi i një libri i ngjan ngjitjes së një mali, sidomos kur bëhet fjalë për këtë libër, i cili është një mal i lartë, me 570 faqe. Duket sikur ritmin e mban vetë shkrimtari dhe kjo është një dhunti, një talent i shkrimtarit, i cili, përmes mënyrës se si e shtjellon subjektin, të jep vazhdimisht pauza, por edhe një ritëm apo temp që u përgjigjet situatave”, u shpreh Preç Zogaj.

Përtej promovimit të një vepre letrare, kjo mbrëmje shërbeu si një hapësirë takimi mes kulturave britanike dhe ukrainase, ku letërsia, poezia dhe muzika u ndërthurën në një gjuhë të përbashkët: atë të artit dhe të ndjeshmërisë njerëzore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme