Integrimi në BE, Rama flet për RTSH-në: Brenda këtij viti synojmë të mbyllim sa më shumë kapituj

Politikë | 2 orë më parë

Në një prononcim për gazetaren e Radio Televizionit Shqiptar, Denada Shkodrani, nga Qendra Evropiane e Konventave në Luksemburg për mbylljen e negociatave për Kapitullin e 20-të “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, kryeministri Edi Rama vlerësoi ecurinë e procesit të integrimit në BE dhe nënvizoi përkushtimin e Shqipërisë për të përmbushur të gjitha detyrimet brenda afateve të caktuara.

Sipas kryeministrit Edi Rama, planet janë ambicioze dhe brenda këtij viti Shqipëria synon të mbyllë sa më shumë kapituj.

“U kthyem për të mbyllur një tjetër kapitull dhe për të rikonfirmuar që përparimi drejt objektivit tonë historik është i pandalshëm. Ndërkohë, sapo kam kryer disa takime inkurajuese për çfarë vjen më pas. Pra, planet janë ambicioze. Brenda këtij viti synojmë të mbyllim edhe më shumë kapituj. Dhe jam absolutisht i bindur që sa i takon palës sonë, do të jemi në çdo hap plotësisht në përputhje me afatet,” – u shpreh për mikrofonin e RTSH-së, kryeministri Rama.

I pyetur nga gazetarja Denada Shkodrani se sa kapituj pritet të mbyllen deri në fund të këtij viti, kreu i qeverisë nuk dha shifra por theksoi se ritmi i punës mbetet i lartë.

“Po, nuk do të thosha shifra, thjesht po them që sot do të mbyllim edhe një tjetër kapitull, që bën katër gjithsej. Dhe ka mbetur së paku edhe dyfish që pritet të jetë shifra për këtë vit, të paktën për këtë vit. Por le të shohim,” deklaroi më tej Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme