Rama: Dialog në çdo orë e në çdo vend, por jo me dhunuesit dhe ata që i mbështesin
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mazhoranca është e gatshme të zhvillojë dialog me çdo grup apo individ që ka kërkesa dhe shqetësime, por ka përjashtuar nga ky proces personat që ushtrojnë dhunë dhe forcat politike që, sipas tij, nuk distancohen prej saj.
Gjatë konferencës për mediat pas protestës së dhunshme të mbrëmjes së djeshme, Rama theksoi se zgjidhja e problemeve duhet të vijë përmes dialogut dhe debatit demokratik, jo përmes përplasjeve në rrugë.
“Kështu që, dialog në çdo orë, në çdo ditë, në çdo vend me këdo, përveç forcave politike që janë mbrapa dhunës dhe që nuk distancohen nga dhuna. Përveç atyre që gjuajnë me gurë policinë. Përveç atyre që duartrokasin kur digjet një polic, kushdo tjetër është i mirëseardhur ose tek kushdo tjetër jam gati të shkoj dhe të dëgjoj dhe të kuptoj se si dhe ku gjendet kjo zgjidhje”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te kërkesat për ndryshime politike, duke theksuar se sipas tij nuk mund të ketë zgjidhje të imponuara artificialisht jashtë vullnetit të qytetarëve.
“Por zgjidhjen politike me ndryshime artificiale të lidershipit, me ndryshime artificiale të rrugës së këtij vendi, me përzierje të të njomit me të thatin, me demek në emër të qetësisë, në emër të dashurisë, në emër të paqes, nuk ka dhe nuk ka. Jo se s’dua unë. Nuk është këtu pushteti im personal”, u shpreh ai.
Rama theksoi se mandatin e tij e konsideron një përgjegjësi të marrë nga qytetarët përmes votës dhe jo një pushtet personal.
“Unë nuk e kam personal pushtetin. Për mua zyra e kryeministrit nuk është vend pune. Është mision që ma kanë ngarkuar 800 e ca mijë shqiptarë në bazë të një kontrate që mbaron në vitin 2029 dhe deri tani unë nuk i kam lëvizur asaj kontrate”, deklaroi kreu i qeverisë.
Duke folur për protestuesit dhe thirrjet për dialog, Rama tha se ka qenë i gatshëm të dëgjojë kërkesat e tyre, por sipas tij nuk ka pasur asnjë përpjekje konkrete për komunikim institucional.
“Katër muaj nuk kam dëgjuar asnjë kërkesë racionale për diçka që lidhet me arsimin, që lidhet me shëndetësinë, që lidhet me strehimin. Asnjë. Dhe mbi të gjitha nuk e kam dëgjuar derën të trokasë”, tha ai.
Kryeministri zbuloi se ka pasur komunikime edhe me disa prej protestuesve, të cilët i kishte ftuar për dialog, por sipas tij ata kanë refuzuar çdo mundësi diskutimi.
“Jo vetëm që nuk kanë ardhur ndonjëherë të trokasin, por edhe kur kam komunikuar me ta, se unë kam komunikuar me ta, nuk ju kam bërë publike sepse nuk kam komunikuar me ta për t’i përdorur. U kam thënë: ‘Hajdeni lart të flasim’. Përgjigjja ka qenë: ‘S’ka me ty dialog’. ‘Largohu, ti duhet të ikësh’. ‘Ka mbaruar ora jote’”, rrëfeu Rama.
Në përfundim, kryeministri këmbënguli se fjala dhe dialogu mbeten e vetmja rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
“Pra, kjo është njëra anë. Por, ana tjetër patjetër është fjala. Jo kjo”, tha ai duke iu referuar gurit. “Fjala, dialogu”, përfundoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




