Maliq, historia përmes dokumenteve/AIDSSH sjell dëshmi dhe histori nga periudha e diktaturës komuniste
Në Maliq është zhvilluar aktiviteti i radhës i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të platformës edukative “Mësojmë nga e Kaluara”. Përmes diskutimit mbi filmin “Vitet e para”, prodhim i vitit 1965 dhe të dokumenteve arkivore, u soll në vëmendje historia e tharjes së Kënetës së Maliqit dhe përndjekja e inxhinierëve e të burgosurve politikë në kampin e Vloçishtit.
Diskutimi u përqendrua te mënyra se si filmat dhe letërsia e periudhës komuniste ndikuan në kujtesën kolektive, duke paraqitur si armiq të regjimit persona të dënuar për arsye politike.
“Është një platformë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që synon të sjellë një narrativë të rishkruar dhe fakte që na tregojnë pjesën e munguar të diktaturës komuniste, atë që ndoshta ende nuk është e qartë në kurrikula dhe në shkolla, as për brezin e ri dhe as për mësuesit e rinj”, u shpreh Rovena Rozhani, Specialiste e edukimit qytetar.
Përmes dokumenteve arkivore dhe dëshmive familjare, pjesëmarrësit sollën fakte mbi këtë periudhë dhe pasojat e përndjekjes te individët dhe familjet e tyre.
“Nuk duhet të ngatërrojmë rolin artistik që kanë luajtur aktorët tanë me skenarët e filmave të realizmit socialist, të cilët, në të shumtën e rasteve, janë mbushur me propagandë. Këtë propagandë duhet ta ballafaqojmë me faktet, provat dhe dëshmitë që kemi”, tha Skwnder Vrioni, Anëtar i AIDSSH .
Aktiviteti synon të nxisë mendimin kritik te të rinjtë dhe njohjen e së kaluarës përmes dokumenteve dhe burimeve historike.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




