Kos: Fitorja e Listës së Studentëve mund të hapë një kapitull të ri për Serbinë në rrugën drejt BE-së

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi fitoren e Listës së Studentëve në zgjedhjet parlamentare në Serbi si një mundësi për një fillim të ri në procesin e integrimit evropian të vendit.
Në një intervistë për TVP World, Kos tha se prioritetet e shpallura nga studentët fitues për sundimin e ligjit, demokracinë, median e lirë dhe luftën kundër korrupsionit përkojnë me kërkesat që Bashkimi Evropian ka prej vitesh ndaj Serbisë në kuadër të negociatave të anëtarësimit.
“Serbia ka qenë vend kandidat për më shumë se dhjetë vjet, por në vend që të ecë përpara, në disa fusha ka bërë hapa pas, pikërisht në sektorët që ishin thelbësorë për fitoren e Listës së Studentëve”, deklaroi Kos.
Ajo e përshkroi rezultatin zgjedhor të studentëve si “të shkëlqyer”, duke theksuar se kërkesat e tyre janë në përputhje me standardet që Bashkimi Evropian pret nga një vend kandidat.
“Studentët po kërkonin atë që ne kërkojmë nga Serbia në procesin e anëtarësimit: sundimin e ligjit, demokracinë, median e lirë dhe luftën kundër korrupsionit. Kjo fitore mund të jetë një fillim i ri për Serbinë në rrugën evropiane”, u shpreh komisionerja.
Kos kujtoi se, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Serbia i ka përmbushur kushtet teknike për hapjen e Grupit 3 të kapitujve negociues, por progresi është bllokuar nga mangësitë në Grupin 1, i njohur si “Bazat”, i cili përfshin sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe të drejtat themelore.
“Për të ecur përpara me hapjen dhe mbylljen e kapitujve, duhet të përmbushen kriteret themelore. Kjo është edhe ajo që dëgjova nga drejtuesi i Listës së Studentëve, Ilija Srdanović, i cili më tha se këto çështje janë ndër prioritetet e tyre kryesore”, tha ajo.
E pyetur për qëndrimin e Listës së Studentëve lidhur me sanksionet ndaj Rusisë, Kos pranoi se kjo mund të përbëjë një sfidë në raportet me Bashkimin Evropian.
“Nëse një vend kandidat nuk harmonizon interesat e tij strategjike me ato të Bashkimit Evropian, do ta ketë të vështirë të përparojë në procesin e anëtarësimit. Megjithatë, ende nuk kemi nisur bisedimet me qeverinë e re dhe mbetet për t’u parë si do të zhvillohet kjo çështje”, deklaroi komisionerja për Zgjerimin.
Deklaratat e Martës Kos vijnë pas zgjedhjeve në Serbi, ku Lista e Studentëve ka dalë fituese, duke hapur një kapitull të ri në skenën politike të vendit dhe duke rritur pritshmëritë për rifreskimin e agjendës evropiane të Beogradit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




