Cristiano Ronaldo fiton çmimin “B.O.A.T”, duke lënë pas Messin

Futboll Bota | 1 orë më parë

Cristiano Ronaldo gjen ngushëllim te “B.O.A.T.” — “Ballon d’Or All Time” (Topi i Artë i të gjitha kohërave). CR7 doli fitues në një sondazh online mes tifozëve, të cilët e votuan atë si fituesin më të madh të “Topit të Artë” ndonjëherë, ironikisht, pikërisht në vitin kur ai nuk ishte mes të nominuarve për “Topin e Artë” të vitit 2026.

Në votimin, i cili u zhvillua në faqen zyrtare të “Topit të Artë” nga 20 deri më 27 tetor, ylli portugez u rendit i pari, falë çmimit që fitoi në vitin 2008, vit në të cilin ai fitoi si Ligën e Kampionëve, ashtu edhe Premier Ligën me Manchester United. Leo Messi u rendit i dyti me “Topin e Artë” të vitit 2012, i ndjekur nga CR7 (2017) dhe Messi (2023).

Në votimin e rezervuar për fituesit e shumëfishtë të “Topit të Artë”, kishte dhjetë kandidatë për çmimin që shënonte edicionin e 70-të të trofeut më të rëndësishëm individual në këtë sport: Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Ronaldo, Marco van Basten, Michel Platini, Karl-Heinz Rummenigge, Kevin Keegan, Franz Beckenbauer, Johan Cruyff dhe Alfredo Di Stéfano.

Tifozët mund të votonin online duke paguar një tarifë simbolike prej 1 euroje në faqen zyrtare të internetit. Organizatorët bënë të ditur se mbi 5 000 persona votuan më shumë se një herë, 300 persona votuan nga 5 deri në 9 herë, ndërsa 44 individë votuan nga 10 deri në 26 herë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme