Abissnet Superiore në RTSH/ Nuk ka fund kriza e Partizanit, Elbasani fiton me përmbysje

Nuk ka fund kriza e Partizanit. “Të kuqtë” pësojnë humbjen e 6-të radhazi në kampionat në “Elbasan Arena”, pasi mposhten 2-1 nga vendasit, që fitojnë me përmbysje një ndeshje të bukur dhe të luftuar.
“Demat” nisin shumë mirë sfidën dhe kalojnë në avantazh me Jovicic, që debuton në mënyrën më të mirë me fanellën e Partizanit. Miqtë luajnë më mirë, madje shënojnë sërish me Jovicic, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal 1-0 të Partizanit.
Elbasani ndryshon ritmin në pjesën e dytë dhe i afrohet golit me Nikajn dhe Boriçin. Loja është e hapur dhe të dyja skuadrat janë në kërkim të golit. Janë verdheblutë ata që gjejnë rrugën e rrjetës me Mazarin, që shënon golin e barazimit në minutën e 82-të.
Në minutën e fundit të takimit, vjen episodi që vendos fatin e ndeshjes. Nikaj shënon, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Pas verifikimit në VAR, gjyqtari Çelaj e vlerëson golin si të rregullt.
Elbasani përmbys gjithçka dhe fiton ndeshjen 2-1. Ky është suksesi i parë në kampionat për trajnerin Daja në krye të verdhebluve. Elbasani ngjitet në kuotën e 11 pikëve pas këtij suksesi, ndërsa Partizani në krizë të plotë rezultatesh mbyll tabelën e klasifikimit me vetëm 4 pikë pas përfundimit të fazës së parë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




