Demo: 269 të mitur të shoqëruar në polici nga protesta, së shpejti kamerat e trupit për Policinë e Shtetit
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ngriti shqetësimin për përfshirjen e të miturve në protestat e dhunshme të javëve të fundit, ndërsa paralajmëroi masa të reja ligjore dhe investime në teknologji, përfshirë vendosjen e kamerave të trupit për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Gjatë një komunikimi të përbashkët me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Demo tha se përdorimi i të miturve në vijën e parë të protestave është një fenomen shqetësues që kërkon ndërhyrje të koordinuar institucionale.
Sipas tij, organizatorë të ndryshëm kanë vendosur të miturit në situata të rrezikshme, duke i ekspozuar ndaj përplasjeve dhe akteve të dhunës.
“Janë 269 të shoqëruar nën moshën 18 vjeç. Kjo tregon sfidën e madhe që kemi përpara për të adresuar këtë fenomen. Nevojitet angazhimi i shkollave, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe mbështetje më e madhe për familjet dhe vetë të rinjtë”, u shpreh ministri.
Demo theksoi se veprimet policore nuk janë zgjidhja e vetme dhe se duhen gjetur rrugë komunikimi dhe mekanizma parandalues për të shmangur përfshirjen e të miturve në protesta të dhunshme.
“Policia e Shtetit nuk është aty, për t’u përballur dhunshëm me qytetarët. Është aty për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Dhe këtë, ne duhet të jemi të gjithë të qartë, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të gjithë mbështetës, për sa i përket rolit të Policisë së Shtetit. Ne kemi konstatuar gjatë këtyre javëve një dhunë, e cila nuk ka qenë e drejtuar vetëm kundrejt institucioneve shtetërore, por ka qenë kundrejt subjekteve private, kundrejt institucioneve të pavarura, por dhe individëve, kalimtarëve të ndryshëm të cilët kanë qenë në protestë.
Ai bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka miratuar një akt normativ që parashikon instrumente të reja ligjore për menaxhimin e tubimeve të dhunshme. Ndër masat e reja, sipas ministrit, parashikohet që në rastet kur të miturit përfshihen në akte vandalizmi apo dhune, dëmet e shkaktuara të mbulohen nga familjet e tyre, një praktikë që ai tha se aplikohet edhe në disa vende të Bashkimit Europian.
Një tjetër element ku ministri vendosi theksin ishte modernizimi i Policisë së Shtetit përmes teknologjisë. Demo njoftoi se shumë shpejt do të nisë përdorimi i kamerave të trupit nga efektivët e Policisë së Shtetit në Tiranë.
Sipas tij, pajisja e policëve me kamera do të shërbejë për rritjen e transparencës, dokumentimin e incidenteve dhe verifikimin e veprimeve si të qytetarëve ashtu edhe të vetë efektivëve.
“Kamerat e trupit do të na ndihmojnë të faktojmë aktet e dhunës dhe veprat e paligjshme, por njëkohësisht do të garantojnë që veprimet e Policisë së Shtetit të jenë gjithmonë brenda kornizës ligjore”, deklaroi Demo.
Ministri shtoi se po punohet edhe për përmirësimin e sistemeve të komunikimit të policisë përmes radiove të reja, si dhe për përdorimin e mjeteve të avancuara dixhitale në hetime. Ai tha se teknologjia ka ndihmuar tashmë në identifikimin e personave të maskuar që dyshohet se kanë ushtruar dhunë gjatë protestave, ndërsa materialet janë referuar për hetim në Prokurorinë e Tiranës.
Në përfundim, Demo u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e Policisë së Shtetit dhe të ushtrojnë të drejtën për protestë në mënyrë paqësore, duke theksuar se rendi dhe siguria janë përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe e shoqërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




