Protestat e dhunshme në Tiranë, Demo: 347 të lënduar, 39 kalimtarë, 7 efektivë nën hetim për tejkalim të detyrës

Aktualitet | 50 minuta më parë

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, prezantuan bilancin e protestave të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit në Tiranë.

Sipas ministrit Demo, nga përplasjet dhe incidentet e regjistruara gjatë protestave kanë mbetur të lënduar 347 persona, mes tyre punonjës policie, protestues, kalimtarë dhe gazetarë.

Në deklaratën e tij, Demo falënderoi Policinë e Shtetit për angazhimin në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke theksuar se efektivët janë përballur me një nivel dhune që, sipas tij, ka qenë i paprecedentë.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se në projektbuxhetin e vitit 2027 është parashikuar një rritje e konsiderueshme e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit.

“Një projektligj shumë i rëndësishëm, siç është projektbuxheti i vitit 2027, parashikon një trajtim të ri financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit. Niveli bazë i pagës do të rritet me 20 mijë lekë të rinj, ndërsa për kategoritë e tjera rritja do të jetë me 15 mijë lekë të rinj. Kjo është një nga rritjet më të larta të viteve të fundit për strukturat e Policisë së Shtetit”, u shpreh Demo.

Duke u ndalur te bilanci i protestave, ministri tha se shifrat tregojnë qartë nivelin e lartë të dhunës së ushtruar gjatë tubimeve.

“Javët e fundit kanë qenë shumë sfiduese për Policinë e Shtetit dhe kanë prodhuar një bilanc negativ sa i përket të lënduarve. Në total janë 347 persona të lënduar dhe nuk dua të bëj dallim mes punonjësve të Policisë së Shtetit, protestuesve apo kalimtarëve. Megjithatë, këto shifra tregojnë se niveli i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë”, deklaroi ai.

Sipas ministrit, nga 347 të lënduarit, 200 janë punonjës të Policisë së Shtetit, 107 protestues dhe 39 kalimtarë të rastësishëm, mes të cilëve edhe gazetarë.

Demo theksoi se Ministria e Brendshme mbetet e përkushtuar për garantimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të protestuar, por njëkohësisht edhe për zbatimin e ligjit dhe ndërhyrjen proporcionale të forcave të rendit.

“Qëndrimi i Ministrisë së Brendshme është i qartë: ne garantojmë të drejtën kushtetuese për protestë, por edhe ndërhyrjen proporcionale të Policisë së Shtetit. Në rastet kur ka dyshime për tejkalim të kompetencave apo të përdorimit të forcës, janë marrë masat e nevojshme”, tha ai.

Ministri bëri të ditur se aktualisht shtatë punonjës policie janë pezulluar nga detyra dhe janë vendosur nën hetim, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po verifikon edhe dhjetëra raste të tjera të referuara nga qytetarët ose të nisura kryesisht për incidente specifike gjatë protestave.

Autoritetet paralajmëruan se hetimet do të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të çdo rasti, ndërsa apeluan për shmangien e akteve të dhunës në tubimet e ardhshme.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme