Edi Rama: “Pasqyra Albania” e bën administratën transparente, ndjek në kohë reale çdo kërkesë e investim të qeverisë

Aktualitet | 1 orë më parë

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot “Pasqyra Albania”, një platformë digjitale që synon të transformojë marrëdhënien mes qytetarëve dhe administratës publike.

Sipas tij, kjo është “pasqyra ku administrata do të shohë vetveten”, ku asnjë hall i qytetarit nuk do të humbasë më në sirtarët e burokracisë dhe asnjë shkaktar vonese nuk do të fshihet më pas murit të procedurave.

Platforma, e zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit mbështetet mbi disa shtylla kryesore që i japin qytetarit kontroll dhe informacion të plotë në kohë reale.

“Kjo lidhet me atë zotim tjetër në kuadrin e “Pasqyra Albania” që t’u vendosim në dispozicion qytetarëve ku ata mund t’i shohin vetë  investimet, ecurinë e projekteve në çdo zonë të interesit tyre. Një qytetar nga Vlora do të shohë se çfarë po bëhet aktualisht në zonën e tij, në çfarë stadi janë projektet, për projekte që për një arsye apo për një tjetër mund të jenë të pezulluara, mund të jenë të vonuara, e kështu me radhë, në mënyrë që çdo lloj gjysmë e vërtete, që është dhe gënjeshtra më e madhe, pa llogaritur këtu të vërtetat totale që shpërndahen përditë nëpër portale, nëpër kanale, të mund t’i ballafaqojë vetë qytetari me mundësinë për të ndezur pasqyrë Albania-n dhe për të parë çfarë bëhet me investimet”, deklaroi kryeministri Rama.

Sipas tij, kjo mundësi i jep qytetarit instrumentin për të ballafaquar vetë “gjysmë-të-vërtetat” dhe informacionin e pasaktë që qarkullon në media e portale.

Shtylla tjetër e quajtur “Kupto”, i jep qytetarëve mundësinë të njihen në kohë reale me vendimet dhe projektvendimet e Këshillave Bashkiakë.

Sipas ekspertit të AKSHI-t, që nga muaji shtator janë publikuar të gjitha vendimet e miratuara. Për ta lehtësuar këtë proces, është zhvilluar edhe një asistent virtual që i ofron qytetarit një përmbledhje të vendimeve më të fundit të bashkisë së tij.

Ai shpjegoi më tej se shtylla më e rëndësishme është hapësira personale e qytetarit, ku duke u identifikuar me llogarinë e-Albania, çdo qytetar do të mund të ndjekë statusin e aplikimeve, shërbimeve dhe ankesave të tij.

Kryeministri e krahasoi këtë sistem me shërbimin e postës ekspres: “Do ta kthejmë çdo hall, çdo kërkesë, çdo ankesë, çdo problem në një pako DHL-je. Ashtu siç ndjekim një pako, do të ndjekim edhe ankesën apo kërkesën”, ndërsa shtoi se qytetari sheh statusin e “pakos” së tij, ndërsa hierarkia institucionale sheh në kohë reale se ku ngec procedura.

“Pra, këtu jemi në atë thembrën e Akilit që thashë, për të cilën jua kam bërë me dije zotimin se do ta kthejmë çdo hall, çdo kërkesë, çdo ankesë, çdo problem në një pako DHL-je. Pra, siç nisim me DHL një pako apo një letër dhe e ndjekim gjatë gjithë kohës se ku ndodhet, do të bëjmë edhe me ankesën, kërkesën, problemin, shqetësimin. Kjo nga njëra anë do t’i japi mundësi çdo qytetari të shohë statusin e pakos vetë dhe nga ana tjetër do t’i japi mundësinë administratës, do t’i japi mundësinë institucioneve përkatëse, do t’i japi mundësinë edhe shkallës së hierarkisë që të mund të ndjekin në kohë reale se ku ngec një pako, ku ngec një kërkesë apo ku ngec një ankesë. Sepse ne mund të kemi diskutime për u zgjidh apo s’u zgjidh gjëja, ashtu siç njëra palë apo pala tjetër shtet dhe qytetar e konceptojnë, por nuk mund të kemi më diskutime a u mor as u mor përgjigje. Dhënia e përgjigjes në kohë është një detyrim që duhet ta mbajmë si parësor në këtë marrëdhënie”, theksoi më tej Rama.

Sipas ekspertit të AKSHI-t, çdo shërbim ka një afat ligjor dhe kur afati kalon, sistemi e shënon menjëherë, qytetari njoftohet me SMS dhe i ofrohet linku për të bërë ankesë, e cila regjistrohet me kod unik.  Ndërsa shtoi se ankesat ndiqen nga struktura e bashkëqeverisjes dhe gjenerojnë alerte për hierarkinë e institucionit përkatës.

Nga ana e tij, kryeministri vuri në dukje se “Pasqyra Albania” synon të eliminojë diskutimet e pafundme nëse “u mor apo nuk u mor përgjigje”. Përmes kësaj platforme pretendohet të rritet llogaridhënia e administratës dhe të fuqizojë qytetarin me informacion të drejtpërdrejtë e të verifikueshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme