Faza e dytë e Reformës Territoriale, Komisioni i Posaçëm do të përbëhet nga 16 deputetë, ja si ndahen vendet mes PS-së dhe pakicës parlamentare

Politikë | 30 minuta më parë

Kuvendi ka miratuar vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, i cili do të udhëheqë Fazën e Dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në vend.

Objekti kryesor i këtij komisioni përqendrohet në reformimin e thellë të qeverisjes vendore, përmes rishikimit të funksioneve e shërbimeve publike, forcimit të financave vendore dhe reformimit të nivelit rajonal.

Përbërja politike dhe afatet e punës

Sipas vendimit të nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, komisioni i posaçëm përbëhet nga 16 anëtarë. Ndarja politike përfshin 9 përfaqësues nga Partia Socialiste, 5 nga Partia Demokratike, 1 nga Aleanca për Ndryshim dhe 1 nga Partia e Lirisë.

“Kryetari i Komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare,” përcaktohet në aktin zyrtar, ndërsa shtohet se “Komisioni i Posaçëm e zhvillon veprimtarinë e tij brenda një afati 6-mujor nga data e miratimit”.

Objektivat ligjore dhe tranzicioni drejt Zgjedhjeve 2027

Puna e komisionit do të fokusohet në propozimin e ndryshimeve në ligjin për vetëqeverisjen vendore, financat vendore, si dhe zhvillimin rajonal. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet garantimit të përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore.

Gjithashtu, komisioni ngarkohet të ndjekë zbatimin e masave kalimtare për ngritjen e bashkive të reja në kuadër të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

“Komisioni i Posaçëm ndjek zbatimin e ligjit nr. 100/2026 dhe të masave kalimtare për ngritjen e bashkive të reja deri në zgjedhjet vendore të vitit 2027, në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave,” nënvizohet në tekstit e vendimit.

Pranë strukturës parlamentare do të ngrihet një grup ekspertësh vendas e ndërkombëtarë, si dhe ftohen për asistencë teknike partnerët ndërkombëtarë si Delegacioni i BE-së, Këshilli i Evropës dhe Prezenca e OSBE-së. Vendimmarrja brenda komisionit do të synohet të arrihet me konsensus.

Pikat kryesore të vendimit

Objekti dhe qëllimi

Ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për zbatimin e Fazës së Dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, me fokus te qeverisja vendore, decentralizimi, financat dhe niveli rajonal.

Objektivat kryesore

Rishikimi i kuadrit ligjor dhe shërbimeve vendore, analizimi i financave për decentralizim fiskal, si dhe përafrimi me acquis të BE-së dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore.

Përbërja politike (16 anëtarë)

Komisioni përbëhet nga 9 përfaqësues të Partisë Socialiste, 5 të Partisë Demokratike, 1 të Aleancës për Ndryshim dhe 1 të Partisë së Lirisë.

Drejtimi

Kryetari i komisionit i përket shumicës parlamentare (PS), ndërsa zëvendëskryetari i përket pakicës parlamentare (PD).

Kohëzgjatja

Veprimtaria e komisionit është caktuar për një afat 6-mujor, me mundësi zgjatjeje me kërkesë të arsyetuar.

Lidhja me zgjedhjet e vitit 2027

Komisioni do të ndjekë masat kalimtare për ngritjen e bashkive të reja në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Asistenca dhe konsultimet

Do të ngrihet një grup ekspertësh vendas e ndërkombëtarë, ndërsa ftohen për asistencë teknike partnerë si Delegacioni i BE-së, Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme