UEFA Region’s Cup/ Shqipëria luan ndeshjen e dytë, mundet 2-1 nga Italia

Kombëtarja | 2 orë më parë

Kombëtarja shqiptare e futbollit amator është mundur me rezultatin 2-1 nga Italia në ndeshjen e dytë të raundit të ndërmjetëm të UEFA Regions’ Cup 2026-2027, e zhvilluar në stadiumin “Egnatia Arena”.

Kuqezinjtë, të drejtuar nga trajneri Ardian Haçi, zhvilluan një ndeshje të luftuar ndaj përfaqësueses italiane, por në fund nuk arritën të shmangnin humbjen.

Shqipëria e nisi ndeshjen me këtë formacion: Klaudio Blloshmi, Aldi Pjetri, Exhei Kola, Xhonaldo Prenga, Klajdi Shini, Marsel Koromani, Albi Alushi, Ronaldo Alillari, Albis Dajti, Romeo Pillati, Eldi Gjuzi.

Italia kaloi në avantazh në minutën e 56-të me Tommaso Redin, ndërkohë që Shqipëria reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin dy minuta më vonë me Albis Dajtin, duke rikthyer ekuilibrat në këtë përballje. Megjithatë, skuadra italiane arriti të shënonte golin e fitores në limite me Francesco Geno, duke siguruar tri pikët.

Kjo ishte ndeshja e dytë e Shqipërisë në Grupin 6 të raundit të ndërmjetëm, pas humbjes 6-1 ndaj Sllovakisë në sfidën e parë.

Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e fundit të grupit më 4 nëntor, ndaj Irlandës së Veriut, në stadiumin “Egnatia Arena”, me synimin për ta mbyllur këtë fazë me një rezultat pozitiv.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme