Ndahet nga jeta në moshën 69-vjeçare profesor Sulo Hadëri, për më shumë se katër dekada formoi breza ekonomistësh

Është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare Prof. Dr. Sulo Hadëri, një prej emrave të njohur të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, i cili për më shumë se katër dekada kontribuoi në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e mendimit ekonomik në Shqipëri.
Hadëri vlerësohej si një intelektual i spikatur dhe një figurë e respektuar në komunitetin akademik, duke lënë pas një karrierë të gjatë si pedagog, drejtues universitar dhe ekspert në fushën e ekonomisë.
Ai u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë, në degën Ekonomi Politike, në vitin 1979. Karrierën akademike e nisi në tetor të vitit 1981, si asistent pedagog në të njëjtin fakultet. Në vitin 1993 mori gradën Doktor i Shkencave Ekonomike, një vit më pas titullin Profesor i Asociuar dhe në vitin 1999 titullin Profesor.
Gjatë karrierës së tij në Universitetin e Tiranës, Sulo Hadëri mbajti disa prej funksioneve drejtuese më të rëndësishme në Fakultetin Ekonomik. Ai ishte dekan në periudhën 2012-2016, ndërsa më herët kishte shërbyer si zëvendësdekan nga viti 2008 deri në vitin 2012. Gjithashtu, drejtoi Departamentin e Ekonomiksit gjatë viteve 2003-2008 dhe Seksionin e Makroekonomisë në periudhën 1999-2002.
Përveç angazhimit akademik, Hadëri pati një rol të rëndësishëm edhe në institucionet ekonomike dhe financiare të vendit. Ai ishte anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nga viti 1999 deri në vitin 2006, si dhe këshilltar i Ministrit të Financave gjatë periudhës 1997-1999. Ka qenë gjithashtu anëtar i bordeve dhe strukturave të ndryshme publike, përfshirë Albcontrol dhe Bordin e Akreditimit.
Kontributi i tij shtrihej edhe përtej Shqipërisë. Ai ishte profesor i ftuar në disa universitete në rajon, mes tyre Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, si dhe në universitete të tjera në vend. Gjithashtu, mori pjesë në programe ndërkombëtare kualifikimi dhe trajnimi në Austri, Japoni, Mbretërinë e Bashkuar, Itali dhe Greqi, duke zgjeruar njohuritë dhe përvojën në fushën e politikave makroekonomike, financave dhe bankave.
Sulo Hadëri ishte i angazhuar në një sërë projektesh kërkimore dhe zhvillimore, përfshirë projekte të mbështetura nga Banka Botërore dhe OSBE-ja. Ai kontribuoi gjithashtu në hartimin e kurrikulave të ekonomisë për arsimin e mesëm dhe në zbatimin e programeve të edukimit ekonomik për të rinjtë.
Trashëgimia e tij akademike përfshin 25 artikuj shkencorë të botuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe 24 referime në konferenca shkencore. Ai ishte gjithashtu autor dhe bashkautor i disa teksteve universitare dhe shkollore, mes tyre “Hyrje në Ekonomi”, “Ekonomia Monetare”, “Leksione të Makroekonomisë” dhe botime të tjera që shërbyen si materiale studimore për breza studentësh.
Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një prej figurave të njohura të ekonomisë dhe arsimit universitar në Shqipëri, ndërsa kontributi i tij në auditorë, institucione dhe kërkimin shkencor do të mbetet pjesë e trashëgimisë akademike të vendit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




