Legjionarët/ Ernest Muçi në momentin më të mirë në Turqi, gola edhe nga Shpendi e Tuci

Futbollistët shqiptarë që aktivizohen në kampionatet jashtë vendit kanë vijuar të spikasin me skuadrat e tyre, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë javë futbollistike. Ernest Muçi ishte një nga protagonistët kryesorë, me një gol dhe një asist, ndërsa Cristian Shpendi dhe Indrit Tuci realizuan gjithashtu për ekipet e tyre.
Ernest Muçi zhvilloi një paraqitje shumë të mirë me Trabzonsporin në kampionatin turk. Sulmuesi shqiptar kontribuoi fillimisht me një asist në fundin e pjesës së parë, duke ndihmuar skuadrën të kalonte në avantazh ndaj Gaziantepit. Në minutën e 61-të, Muçi realizoi edhe një gol spektakolar nga distanca, duke vulosur fitoren 2-0 të Trabzonsporit. Me këtë kontribut, futbollisti shqiptar shkon në kuotën e tre golave dhe gjashtë asisteve në kampionat këtë sezon.
Në Itali, Cristian Shpendi vazhdon të konfirmojë formën e mirë me fanellën e Çezenës. Sulmuesi shqiptar realizoi golin e barazimit në transfertën ndaj Südtirol, duke dërguar topin në rrjetë në minutën e 65-të. Ndeshja përfundoi në barazim 1-1, ndërsa Shpendi regjistron tashmë tetë gola në 10 ndeshje të luajtura në kampionat.
Një gol me peshë të veçantë realizoi edhe Indrit Tuci në kampionatin slloven. Sulmuesi shqiptar u bë protagonist në derbin mes Mariborit dhe Olimpija Ljubljanës, duke shënuar në pjesën e dytë golin që vendosi fatin e kësaj përballjeje. Me këtë realizim, Tuci ngjitet në kuotën e katër golave në kampionat këtë sezon.
Përveç futbollistëve që spikatën me gola dhe asiste, edhe një numër i konsiderueshëm lojtarësh të Kombëtares shqiptare u aktivizuan si titullarë me skuadrat e tyre në kampionatet përkatëse.
Nga minuta e parë e nisën Etrit Berisha, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Klisman Cake, Samuele Sina, Stavro Pilo, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Juljan Shehu, Arbër Hoxha, Nedim Bajrami, Jasir Asani, Taulant Seferi, Sabah Kerjota dhe Rey Manaj, duke vijuar angazhimin dhe kontributin e tyre në futbollin ndërkombëtar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




