Puka turistike në dimër, një atraksion mjaft i pëlqyer nga vendas e të huaj

E pasur me bukuri natyrore, histori, kulturë dhe gastronomi, Puka është kthyer në një destinacion mjaft të pëlqyer turistik në çdo stinë të vitit.
Numri i vizitoreve vendas dhe të huaj po vjen gjithnjë në rritje.
Gjatë dimrit po tërheq mjaft vëmendje sporti i aventurës, ku është ngritur dhe zip-line më i madh në Ballkan me gjatësi 1.200 metra, lartësi 20 metra dhe shpejtësi që arrin 80–100 km në orë.
Nënkryetari i Bashkisë së Pukës, Ferid Ringaj, thotë se po punohet me të gjithë aktorët dhe faktorët për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.
“Puka ka një turizëm gjithë vjetor, pra, turizëm të katër stinëve. Adrenalina dhe e bukura e saj qëndron në madhështinë dimërore, me borën dhe natyrën fantastike, po ashtu me turizmin natyror, historik e aventuror. Kemi shumë shtigje malore të markuara, që mund të eksplorohen. Po punojmë ngushtësisht me aktorë të ndryshëm që ato mundësi që ka Puka t’i kthejmë në zona zhvillimore,” thotë z. Ringaj.
Në fillim të muajit janar në Pukë u zhvillua dhe festivali dimëror, duke i dhënë gjallëri qytetit të vogël malor për tri ditë e net me radhë.
Synimi është që ky event të kthehet në një traditë të përvitshme, që promovon traditën kulturore të qytetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



