Bashkëpunimi me institucionet e pavarura, Balla evidenton problematikat

Ministri i Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla, deklaroi se ka nevojë për përmirësim të marrëdhënieve mes ministrive dhe institucioneve të pavarura, pasi kjo është një pikë e rëndësishme për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Ajo që mund të evidentoj sot është se shkalla e zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga institucionet publike ka ardhur duke u rritur. Mendoj që kemi ende shumë rrugë për të bërë,” deklaroi z. Balla.
Balla evidentoi problematikat që hasen në zbatimin e rekomandimeve nga institucionet e pavarura.
“Institucionet publike, pra ministritë kryesisht, kanë një fushëveprimi të përcaktuar, ndërsa numri i rekomandimeve dhe natyra e tyre është e larmishme. Po ashtu është evidentuar se në shumë raste zbatimi i një rekomandimi të adresuar ndaj një institucioni mund të kërkojë edhe angazhim të disa strukturave të tjera në të njëjtën kohë,” u shpreh ministri Balla.
Në një tryezë të përbashkët, përfaqësues të ministrive dhe institucioneve të pavarura kanë dhënë sugjerimet e tyre.
Specialistët vunë në dukje mospërputhje në këndvështrimet midis institucioneve.
“Për të njëjtën çështje, institucione të ndryshme të pavarura kanë mbajtur qëndrime të ndryshme,” tha Enkela Dudushi, drejtore e Departamentit të Administratës Publike.
“Niveli i pranueshmërisë së rekomandimeve për subjektet e audituara është në një nivel shumë të lartë, ndërkohë niveli i zbatueshmërisë së tyre shkon te 50 për qind,” deklaroi Brunilda Zeneli, shefja e Drejtorisë së Metodologjisë dhe Zhvillimit në KLSH.
Palët ranë dakord që bashkëbisedimi në lidhje me këtë problematik duhet të vijojë.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



