Pagesat për profesionistët e lirë – Sot afati i fundit për të rifreskuar llogarinë bankare

Ekonomi | 2 vite më parë

Të gjithë tatimpaguesit që ofrojnë shërbime profesionale duhet të përditësojnë të dhënat e llogarive të tyre bankare, në e-Filing, pasi sot është afati i fundit, në mënyrë që të marrin pas këste paraprake të paguara të Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin apo Tatimit mbi Fitimin për vitin 2024. 

Rimbursimi për profesionistët e lirë me të ardhura bruto deri në 14 milionë lekë do të kryhet në llogaritë e tyre bankare. Është shumë e rëndësishme që tatimpaguesit, subjekt i këtij akti ligjor të kenë llogari bankare aktive në një nga bankat e nivelit të dytë, në monedhën Lek.

Në fund të Nëntorit, Këshilli i Ministrave miratoi aktin normativ për kthimin e kësteve të tatim fitimit të parapaguar nga profesionistët e lirë. 

Nga akti normativ përfitojnë rreth 6450 tatimpagues, të cilët do të rimbursohen me një fond prej 501 milionë lekësh. Po ashtu u vendos fshirja e kamatëvonesave të krijuara nga pagesa e vonuara e detyrimeve.

Ligjit për tatimin mbi të ardhurat  i cili hyri në fuqi më 1 Janar 2024, tatonte afro 29 mijë profesionistë të lirë me një normë nga 15-23 përqind.

Profesionistët nuk ishin dakord me këtë regjim tatimor dhe e çuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Pas disa seancash, Gjykata Kushtetuese vendosi  të shfuqizojë nenin që tatonte këtë shtresë, duke e cilësuar si diskriminues.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme