Abdullah Alija, gjysmë shekulli me Postën Shqiptare. Postieri më i vjetër në Shkodër ndan kujtimet me RTSH
Për gjysmë shekulli, Abdullah Alija ka qenë i pandashëm nga çanta e tij e postës.
Që në moshë të re ai nisi të shpërndante letra e zarfe nëpër qytet dhe sot, pas 50 vitesh, mbetet ende në shërbim të njerëzve. Për të, çdo pengesë ka qenë pjesë e detyrës dhe dashurisë për punën.
“16 vjeç, prej bankave të shkollës, me vështirësi e fillova, se isha fëmijë. Hala s’dija, por me ndihmën e shokëve që gjeta këtu e realizova atë punë. Kemi kaluar borë, shi, të ftohtë dhe e kemi përballuar, si të them,” shprehet z. Alija.
Edhe pse koha ka ndryshuar, ende ka njerëz që zgjedhin të dërgojnë e të marrin letra, ashtu si dikur.
“Edhe sot ka postë, por nuk është fluksi siç ka qenë përpara, se përpara s’ka qenë telefoni. Kështu që janë detyruar njerëzit të çojnë letra,” thotë postieri.
Ndër vite janë grumbulluar shumë kujtime të bukura. Çdo letër që pret dikush me emocion, janë bërë momente të paharrueshme në këtë rrugëtim.
“Kujtimet më të bukura janë me ardhjen e demokracisë, sepse në atë kohë u shpërndanë njerëzit në vende të ndryshme dhe mezi prisnin njoftime prej fëmijëve. Na prisnin me gëzim. Shumë gjë e bukur ka qenë për ne, të çonim derë më derë kartolinat, urimet e Vitit të Ri,” kujton z. Alija.
50 vite punë si postier përfaqësojnë një jetë të tërë në shërbim të njerëzve. Një rrugëtim i gjatë që ai e përkufizon një mision të përditshëm.
“E kam pasur shumë pasion, shumë dëshirë. T’i shërbeja popullit, komunitetit,” thotë ai.
Një jetë mbi biçikletë, me zarfe në duar duke sjellë lajme, gëzime e kujtime. Historia e postierit Abdullah Alija është dëshmi se pasioni dhe përkushtimi nuk dalin kurrë në pension.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




