Abissnet Superiore në RTSH/ Bylisi ndal kryesuesit e Egnatias

Ka qenë e mbushur me emocione dhe gola sfida Bylis-Egnatia, që çeli javën e 21-të të kampionatit Abissnet Superiore në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Mbyllet në barazim 2-2 sfida në “Adush Muça”, me vendasit që ndalin kryesuesit e kampionatit dhe marrin një pikë të çmuar në luftën për mbijetesë.
Miqtë nga Rrogozhina mbyllin pjesën e parë në avantazh falë një goli të shënuar nga Jahaja në limitet e kohës së rregullt. Ballshiotët reagojnë në pjesën e dytë, fillimisht barazojnë shifrat me Përgjonin dhe më pas përmbysin gjithçka me Mustafa, që shënon nga pika e bardhë e penalltisë (një 11-metërsh i akorduar pas verifikimit në VAR, pasi gjyqtari Prenga nuk e dha menjëherë).
Egnatia mundohet të reagojë dhe gjen golin e barazimit me Adjesa. Pavarësisht përpjekjeve rezultati i sfidës nuk ndryshon në minutat e mbetura. Mbyllet në barazim 2-2 sfida në “Adush Muça”.
Bylisi merr një pikë dhe ngjitet në kuotën e 19 pikëve në renditje, ndërsa Egnatia çon në 3 numrin e ndeshjeve pa fitore në kampionat. Gjithsesi rrogozhinasit vazhdojnë të qëndrojnë të vetëm në krye të renditjes me 39 pikë, 3 më shumë se Vllaznia, që luan pas pak me Partizanin.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




