Abissnet Superiore në RTSH/ Egnatia përmbys Vorën dhe nis shkëputjen në krye

Abissnet Superiore | 2 muaj më parë

Egnatia ka mposhtur me përmbysje 3-1 Vorën, në sfidën e vlefshme për javën e dytë të kampionatit, që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH Sport. Lojtarët e ardhur nga stoli rezultojnë vendimtarë për rrogozhinasit në këtë transfertë të vështirë. Egnatia merr fitoren e dytë në kampionat dhe ngjitet e vetme në krye të renditjes me pikë të plota.

Trajneri i Egnatias, Nevil Dede nis lojën me disa ndryshime në formacion, duke lënë në stol disa nga titullarët e skuadrës rrogozhinase në sfidën mes dy ekipeve të vetme që kishin fituar ndeshjet respektive në javën e parë të kampionatit.

Vendasit kanë qenë më kërkues në pjesën e parë, por nuk kanë arritur që të rrezikojnë seriozisht portën e Dajsinanit. Mbyllet në barazim pa gola 0-0 dhe pa shumë emocione pjesa e parë e ndeshjes.

Pjesa e dytë është më e bukur. Dede hedh në fushë Albanezen dhe Aleksin. Vora kalon në avantazh me Karricën, që shënon një gol shumë të bukur.

Dede hedh në fushë Adjesën dhe Jagon në vend të Kryeziut dhe Montenegros. I sapofutur në fushë, Adjesa gjen menjëherë rrugën e rrjetës, duke barazuar rezultatin.

Reagon Vora, që shënon me Dakën, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Egnatia “zgjohet” dhe gjen golin e avantazhit me Albanezen.

Vora mundohet të reagojë, por janë sërish rrogozhinasit ata që shënojnë me Jagon. Egnatia shënon sërish, por goli i Grudës anulohet për pozicion jashtë loje.

Mbyllet 3-1 për Egnatian sfida në Vorë. Lojtarët e ardhur nga stoli rezultojnë vendimtarë për rrogozhinasit në këtë transfertë të vështirë. Egnatia merr fitoren e dytë në kampionat dhe ngjitet e vetme në krye të renditjes me pikë të plota. Ndërsa Vora pëson humbjen e parë sezonale në kampionat.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme