“Agjërimi, një nga pesë shtyllat e Islamit”, nënkryetari i KMSH: Kush i jep një iftar një agjëruesi merr të njëjtin shpërblim
Këtë vit muaji i Ramazanit përkon me muajt dimërorë, çka e bën më të lehtë për besimtarët. Teksa flet për rëndësinë e këtyre ditëve, nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Taulant Bici, ndalet edhe te shpërblimi që marrin besimtarët, veçanërisht për atë që njihet si Nata e Kadrit.
“Muaji i Ramazanit është një muaj që pritet me padurim për t’u ndalur pak, për të reflektuar dhe për të ristartuar edhe njëherë mënyrën e jetesës, brenda kornizave që Zoti dëshiron që ne të jetojmë. Pra, një njeri i kompletuar me virtyte. Kush jep një iftar një agjëruesi merr të njëjtin shpërblim sikurse ai që ka agjëruar”, tha Bici.
Nata e Kadrit shënon një tjetër pikë kulmore të këtij muaji të begatë për besimtarët myslimanë, në 10-ditëshin e fundit.
“Vlera e kësaj nate është shumë e madhe, pra ashtu sikurse ka ndryshim një ditë Ramazani nga një ditë tjetër normale, po ashtu ka ndryshim Nata e Kadrit nga ditët e tjera, sepse Zoti ka zbritur një sure enkas për këtë natë dhe në të thuhet se kjo natë vlen më shumë se 1 mijë muaj”, nënvizoi ai.
Vitet e fundit janë të shumtë të rinjtë që i drejtohen besimit në Zot.
“Pjesa që e mbush xhaminë dhe sheshin për faljen e Bajrameve, 90 për qind janë moshat e reja”, tha ai.
Ramazani përkujton zbritjen e parë të Kuranit nga Profeti Muhamed. Agjërimi përfaqëson një nga pesë shtyllat e Islamit dhe, sipas fesë, konsiderohet obligim për të gjithë të rriturit që nuk kanë probleme shëndetësore.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




