Aksidenti fatal te “Bajram Curri”, polici me motor përplasi për vdekje 65-vjeçarin, AMP e vë në pranga

Aktualitet | 10 muaj më parë

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në Bulevardin “Bajram Curri” në kryeqytet, ku është përfshirë një efektiv policie.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) njoftoi se ka arrestuar në flagrancë Inspektorin M. K., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Sipas dinamikës së ngjarjes, efektivi i policisë, duke drejtuar një motomjet, ka përplasur shtetasin P. F., 65 vjeç. I moshuari është transportuar me urgjencë drejt spitalit “Shefqet Ndroqi” në gjendje të rëndë shëndetësore. Fatkeqësisht, për shkak të plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë.

Nga përplasja ka mbetur i lënduar edhe vetë punonjësi i policisë.

Pas veprimeve hetimore, AMP ka ndaluar policin për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor M. K., me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë DVP Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar në nenin 290/3 të Kodit Penal.”, njofton AMP.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme