Aksidenti tragjik në Lisbonë, hetuesit: U këput kablloja që lidhte dy vagonët

Zyrtarët portugezë që po hetojnë aksidentin vdekjeprurës të së mërkurës (3 shtator) në Lisbonë kanë deklaruar se kablloja që lidhte dy vagonët e mjetit funikular Gloria ishte këputur. Sipas Zyrës Kombëtare të Sigurisë së Transportit në Portugali, personi përgjegjës për frenat u përpoq të aplikonte frena emergjente, por nuk arriti të parandalonte aksidentin.
Gjashtëmbëdhjetë njerëz humbën jetën dhe rreth 20 u plagosën kur vagoni i sipërm i hekurudhës ikonike Gloria u përplas me një ndërtesë. Pesë nga të vrarët ishin portugezë, tre britanikë, dy koreano-jugor, dy kanadezë, një amerikan, një ukrainas, një zviceran dhe një shtetas francez.
Teleferiku 140-vjeçar është projektuar për të udhëtuar lart e poshtë shpateve të pjerrëta të Lisbonës dhe është një formë e rëndësishme transporti për banorët e qytetit dhe një atraksion popullor turistik.
Deklarata e Zyrës Kombëtare të Sigurisë së Transportit në Portugali thotë gjithashtu se kablloja, e cila ka një jetëgjatësi të pritshme operacionale prej 600 ditësh, kishte vetëm 337 ditë që ishte vënë në punë.
Hetuesit theksojnë se nuk kanë arritur ende në shkakun përfundimtar të aksidentit dhe do të japin një raport të plotë paraprak brenda 45 ditëve.
Kryeministri i Portugalisë Luis Montenegro e përshkroi incidentin si “një nga tragjeditë më të mëdha të së kaluarës sonë të afërt”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




