Aksioni opozitar, analisti Neza: Për reformat madhore duhet dialog mes palëve. Qeveritë teknike kanë treguar se s’kanë funksionuar

Politikë | 9 muaj më parë

Analisti Sami Neza u shpreh se çështjet që lidhen me reformat madhore në vend duhet të trajtohen përmes një dakordësie mes dy palëve të mëdha politike, duke theksuar se konsensusi është thelbësor për stabilitetin demokratik të vendit.

Në një intervistë për “Tema e Ditës” në RTSH, Neza tha se pjesëmarrja dhe debati në komisionet e Territoriales dhe Reformës Zgjedhore janë pozitive, pasi rruga e bashkëpunimit është shumë më efektive sesa vendimmarrja e njëanshme.

“Çështjet që lidhen me zgjedhjet duhet të merren patjetër përmes një dakordësie mes dy palëve të mëdha. Pjesëmarrja dhe debati janë një gjë e mirë në komisionet e Territoriales dhe Reformës Zgjedhore, pasi rruga e bashkëpunimit është shumë më e mirë sesa rruga e marrjes së vendimeve në mënyrë të njëanshme, për të pasur një politikë më konstruktive dhe reforma që stabilizojnë funksionimin e vendit”, tha analisti.

Ai komentoi gjithashtu qëndrimin e opozitës lidhur me procesin e integrimit, duke kujtuar se ajo ka deklaruar se nuk do të votojë kundër asnjë ligji që lidhet me integrimin evropian.

“Opozita ka deklaruar se nuk do të votojë kundër asnjë ligji që lidhet me integrimin e vendit dhe duhet t’i përmbahet kësaj deklarate, por kjo nuk do të thotë se çdo ligj, për hir të integrimit, duhet të kalojë pa shqyrtim të ri dhe të qartë nga të gjitha palët”, tha ai.

Në lidhje me kërkesën e opozitës për qeverie teknike, Neza u shpreh skeptik, duke theksuar se përvojat e mëparshme në Shqipëri nuk kanë qenë të suksesshme.

Sa i takon aksionit opozitar, Neza theksoi se protesta arriti të përcjellë një mesazh cilësor.

“Qeveritë teknike në Shqipëri nuk kanë pasur një përvojë të mirë, nuk kanë funksionuar dhe nuk kanë dhënë produktin e duhur. Qeveri teknike nuk mund të realizojë nga fillimi deri në fund zgjedhje të pranueshme dhe të besueshëm, por ajo është për të minimizuar efektet e një mekanizmi për të fituar zgjedhjet partia që është në qeverisje. Opozita nuk ka asnjë në dorë, ajo ka mjete morale dhe nuk ka pushtet. Protesta e opozitës ishte një ndër protestat më të mira dhe dinamike që ajo ka zhvilluar në vitet e fundit. Ajo arriti të komunikonte mesazhin e saj pa pasur ndonjë output sasior, por cilësor, që dha mesazhin e saj”, tha analisti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme