Aksioni për lirimin e hapësirave publike vijon, Rama: “Vazhdojmë”

Aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe zonat e dedikuara për qytetarët po vazhdon në të gjithë vendin. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të një tjetër aksioni, duke theksuar se kjo nismë do të vazhdojë pa ndërprerje.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale, shfaqet një fadromë që shemb strukturën metalike dhe të xhamit të një bar-kafeje, duke i rikthyer hapësirën trotuarit.
“Po si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura! Vazhdojmë,” shkruan Rama në postimin e tij, duke treguar vendosmërinë e qeverisë për të ndjekur këtë nismë.
Ky aksion shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0” dhe synon të rikthejë trotuaret e zonat publike në shërbim të komunitetit. Sipas njoftimit, lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm jo vetëm për të rritur cilësinë e jetës, por edhe për të siguruar që bizneset të funksionojnë sipas standardeve kombëtare.
Për të rregulluar situatën në mënyrë afatgjatë, Kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet një Rregullore Kombëtare. Kjo rregullore do të përcaktojë me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset, duke i dhënë fund kaosit dhe abuzimit me pronën publike.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike nisi në fillim të korrikut dhe do të mbetet në fokus të angazhimit të pushtetit vendor e qendror, me synimin për të mbrojtur cilësinë e jetës në komunitet në çdo cep të Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




