AKU në terren për sezonin turistik, Gjylameti: Kontrollet po ushtrohen që në burim të zinxhirit ushqimor
Problematika e sigurisë ushqimore në kushtet e rritjes së ndjeshme të fluksit turistik në Shëngjin dhe zonat përreth ka vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse dhe biznesin lokal, duke shtuar nevojën për kontrolle më të forta dhe standarde më të larta.
Në këtë kuadër, në Shëngjin u zhvillua një takim me përfaqësues të biznesit nga drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gjylameti.
“Shqipëria është nën audit nga Bashkimi Europian, nga DG SANTE për sa i përket sigurisë ushqimore, që është kapitulli 12, dhe për këtë gjë paralelisht me auditet e BE-së edhe trupat e inspektimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë duke përmirësuar standardet e tyre, qoftë në pjesën e kontrollit, por mbi të gjitha në atë që duhet të jetë kontrolli në bazë të riskut, duke e fokusuar shumë punën te parandalimi më shumë sesa te sanksionimi”, tha Gjylameti.
Duke e vënë theksin te rëndësia e zonës si destinacion me potencial të lartë gastronomik dhe turistik, autoritetet vendore kërkuan rritje të vëmendjes për sigurinë ushqimore.
“Ne bashkë me biznesin bëjmë atë që duhet për të përmirësuar sa më shumë problematika të ndryshme, të cilat janë të shumta, por ku siguria ushqimore ka rolin e vet”, tha Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë Lezhë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se kontrollet po kryhen që në burim të zinxhirit ushqimor, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa fokusi kryesor mbetet parandalimi dhe ndërgjegjësimi më shumë sesa masat ndëshkuese.
Ndërkohë, me rritjen e numrit të bizneseve në Shëngjin dhe Tale gjatë sezonit turistik, monitorimi do të vijojë në mënyrë të vazhdueshme në këto zona me ngarkesë të lartë turistike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




